Një mjek amerikan i infektuar me virusin Ebola në Kongo është shtruar në spitalin Charité në orët e para të së mërkurës.
Ministria gjermane e Shëndetësisë pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara që pacienti të trajtohej në Gjermani dhe jo në SHBA, për shkak të kohës më të shkurtër të udhëtimit nga Uganda dhe përvojës së spitalit Charité në trajtimin e rasteve me Ebola.
Pacienti u transportua në Berlin me një avion të posaçëm mjekësor dhe më pas u dërgua në spital me një automjet të projektuar enkas, i shoqëruar nga policia.
Gjashtë persona që kishin pasur kontakt me të infektuarin janë dërguar gjithashtu në Gjermani.
Ministria gjermane e Shëndetësisë ka siguruar publikun se nuk ekziston rrezik për përhapjen e virusit vdekjeprurës tek popullata.
Spitali Charité është i specializuar për trajtimin e rasteve të tilla dhe pacienti po mbahet në një repart plotësisht të izoluar, i ndarë nga pjesa tjetër e klinikës.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me personat e infektuar ose lëngjet e tyre trupore dhe zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me gripin ose diarrenë, para se gjendja të përkeqësohet. Shkaku kryesor i vdekjes zakonisht është dështimi i shumë organeve.
Sipas Ministrisë gjermane të Shëndetësisë, shkalla e vdekshmërisë me trajtim modern dhe monitorim specialistik në një klinikë si Charité bie nga rreth 60% në 20%-30%, shkruan DW.