Një incident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm brenda Qendrës së Paraburgimit në Pejë, ku një i paraburgosur dyshohet se ka sulmuar fizikisht disa zyrtarë korrektues dhe ka kanosur një tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kastriot Grapcin, i cili dyshohet se është bërë agresiv brenda objektit korrektues pasi kishte kërkuar të dërgohej te mjeku.
Sipas deklarimeve të zyrtarëve korrektues, atij i ishte thënë se duhej të priste ardhjen e mjekut dhe gjatë shoqërimit drejt krahut ku ndodhej qelia e tij, kishte nisur të fyejë dhe kërcënojë stafin korrektues.
Situata më pas ka eskaluar brenda zyrës së mbikëqyrësve, ku i dyshuari dyshohet se ka kapur për fyti njërin nga zyrtarët korrektues.
Pasi është larguar prej tij, ai ka tentuar të largohet me vrap nëpër shkallët e objektit, por është ndaluar nga një tjetër zyrtar korrektues, të cilin dyshohet se e ka goditur me grusht në fytyrë.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, lëndime kanë pësuar tre zyrtarë korrektues – njëri në fytyrë, tjetri në gjoks dhe një tjetër në pjesën e fytit.
Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit e stacionit dhe Hetimet Rajonale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Kanosje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...