Është konfirmuar largimi i një ylli të Real Madridit, ndërsa disa të tjerë pritet të largohen para ardhjes së afërt të Jose Mourinhos.
Me Real Madridin që po shkon drejt një sezoni të dytë radhazi pa trofe, koha e trajnerit Alvaro Arbeloas në “Bernabeu” duket se po i afrohet fundit.
Në javët e fundit, trajneri i Benficës, Mourinho, është lidhur fuqishëm me një rikthim te klubi, pasi ai kishte drejtuar më parë “Los Blancos” mes viteve 2010 dhe 2013, periudhë gjatë së cilës i solli klubit titullin e La Ligës dhe Kupën e Mbretit.
Sipas “The Athletic”, bisedimet mes klubit dhe Mourinhos po avancojnë, ndërsa trajneri portugez pritet të takohet javën e ardhshme me presidentin e klubit, Florentino Perez.
Burime pranë Mourinhos sugjerojnë se ai tashmë i ka informuar drejtuesit e Benficës se do të largohet drejt Real Madridit në ditët në vijim, pavarësisht se ka kontratë me klubin portugez deri në vitin 2027.
Benfica po synon trajnerin e Fulhamit, Marco Silva, si dhe ish-trajnerin e Manchester Unitedit, Ruben Amorim, si zëvendësues të mundshëm në “Estadio da Luz”.
Me ardhjen e Mourinhos që duket e pashmangshme, deri në nëntë lojtarë të “Los Blancos” mund të largohen këtë verë, me disa yje në moshë, përfshirë David Alaban, që pritet të largohen.
Të shtunën u konfirmua se kapiteni i klubit, Dani Carvajal, do të largohet pas skadimit të kontratës së tij këtë verë, duke i dhënë fund një periudhe 13-vjeçare te klubi.
Carvajal ka fituar 26 trofe me Real Madridin, përfshirë gjashtë Liga të Kampionëve, katër tituj të La Ligës dhe dy Kupa të Mbretit. Më parë ai ishte lidhur me një transferim në Arabinë Saudite, megjithëse kjo mund të ndikohet nga konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Mbrojtësi i djathtë ka pasur probleme të mëdha me lëndimet në sezonet e fundit, duke munguar për nëntë muaj pasi kishte këputur ligamentin e kryqëzuar anterior, ligamentin kolateral lateral dhe këndin posterolateral të gjurit të djathtë në një ndeshje kundër Villarrealit në tetor të vitit 2024.
Pas rikuperimit kanë ardhur edhe lëndime të tjera, ndërsa Trent Alexander-Arnold tani është para tij në hierarkinë e mbrojtësit të djathtë, gjë që e ka kufizuar Carvajalin në vetëm dy paraqitje të plota prej 90 minutash këtë sezon.
Mbrojtësi i djathtë gjithashtu ka mbetur jashtë skuadrës së Spanjës për Kupën e Botës, të përzgjedhur nga Luis de la Fuente.
Ai është i pari që largohet para asaj që mund të jetë një spastrim masiv i skuadrës. Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “ABC”, mesfushori Dani Ceballos konsiderohet i tepërt dhe me shumë gjasa do të largohet.
Talentit argjentinas Franco Mastantuono, i cili u transferua nga River Plate në vitin 2025, pritet të huazohet, ndërsa Real Madridi gjithashtu dëshiron të përfitojë financiarisht nga shitja e Eduardo Camavinga, Raul Asencio, Gonzalo Garcia dhe Fran Garcia. Edhe portieri rezervë Andriy Lunin mund të largohet./GazetaExpress/