Në prag të përballjes së Real Madrid ndaj Sevilla në “Ramón Sánchez Pizjuán”, trajneri Álvaro Arbeloa doli në konferencë për media, ku komentoi disa nga temat më të nxehta që po qarkullojnë rreth klubit madrilen.
Një nga çështjet më të diskutuara mbetet deklarata e fundit e Kylian Mbappé, e cila ka nxitur spekulime për pakënaqësinë e tij dhe të ardhmen në “Santiago Bernabéu”. Arbeloa bëri të ditur se kishte folur personalisht me sulmuesin francez dhe se situata nuk e shqetësonte aspak.
“E takova dhe i thashë të qëndrojë i qetë. Për mua nuk është lajm, sepse këto gjëra i kemi diskutuar më parë. E kuptoj shumë mirë situatën e tij. Një lojtar si Mbappé gjithmonë dëshiron të luajë dhe kjo është krejtësisht normale. Madje do të çuditesha nëse ai nuk do të ishte i pakënaqur kur nuk luan”, deklaroi Arbeloa.
Ai shtoi se nuk është ndier i lënduar nga fakti që disa çështje të brendshme të zhveshtores janë bërë publike.
“Kur flas me lojtarët nuk kam frikë nga asgjë. Preferoj që bisedat private të mbeten private, por nuk më shqetëson fakti që janë diskutuar. Para ndeshjes kemi folur normalisht dhe nuk ka asnjë problem”, tha tekniku spanjoll.
Arbeloa foli edhe për periudhën e tij në krye të skuadrës, duke e cilësuar si një eksperiencë shumë të rëndësishme në karrierën e tij.
“Kam ardhur nga 1ª RFEF dhe po largohem si trajner i La Ligës, madje duke drejtuar edhe ndeshje të UEFA Champions League. Këta katër muaj kanë qenë një proces i madh mësimi për mua. Largohem me ndërgjegje të pastër”, u shpreh ai.
I pyetur për mënyrën se si dëshiron të kujtohet nga tifozët dhe lojtarët, Arbeloa tregoi lidhjen e fortë emocionale që ka me klubin madrilen.
“Jam 43 vjeç dhe 20 prej tyre i kam kaluar te Real Madridi. Për mua kjo është shtëpia ime. Ndjej dashurinë e tifozëve çdo ditë”, deklaroi ai.
Një tjetër temë që mori vëmendje ishte mundësia e rikthimit të José Mourinho në pankinën madrilene. Arbeloa nuk i kurseu fjalët pozitive për trajnerin portugez.
“Për mua José është numri një. E kam thënë edhe më parë dhe vazhdoj ta mendoj njësoj. Ai gjithmonë do të jetë një nga ne. Nëse rikthehet te Real Madridi, do të jem shumë i lumtur sepse do të rikthehej në shtëpi”, përfundoi Arbeloa.