Kryeministri në detyrë, Ablin Kurti, ka marrë pjesë në një darkë të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare.
Aty, Kurti, mbajti fjalim ku u deklarua për një sërë çështjesh, përfshirë këtu edhe planet e tija nëse ai arrin të krijojë qeverinë e ardhshme, duke thënë se fokusi kryesor do të jenë ndërtimi i hekurudhave, përcjell Gazeta Express.
‘‘Duhet të përmendim që në mandatin që vjen Qeveria jonë do të jetë e përqendruar pikë së pari te hekurudhat. Nuk ka zhvillim të hovshëm ekonomik pa hekurudhat. Dhe ne i kemi ndërmend 4 hekurudha kryesore: E para është hekurudha Prishtinë-Durrës, e cila e ka përbrenda segmentin Gjakovë-Shkodër dhe e lidh Portin e Thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe ne nga Durrësi i kemi 50 për qind të importeve si shtet, pra 50 për qind të importeve të Kosovës vijnë nëpërmjet Durrësit; Hekurudha tjetër është ajo që quhet Korridori X, nga Hani i Elezit te Fushë Kosova, te Mitrovica e deri në Leshak; Tjetra është hekurudha që do të ndërtojmë e cila e lidh Prizrenin me Ferizajn me Gjilanin e me Bujanovcin, kjo është hekurudhë tejet e rëndësishme dhe e katërta që bashkatdhetarët tonë e kanë më shumit për qef segmenti modern hekurudhor që do ta lidhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari” me kryeqytetin e Republikës, Prishtinën. Pra, mandati i ardhshëm do të jetë mandat i hekurudhave’’, ka deklaruar Kurti, njofton ZKM’ja.
Tutje, Kurti ka folur edhe për planet e tij sa i përket sigurisë, duke thënë se do të ketë ‘’investim 1 miliardë në ushtri’’.
‘‘Do të kemi investim 1 miliard në ushtri, në mbrojtje, në siguri, ku industria ushtarake do të jetë kryefjala, e në veçanti prodhimi i municionit në fabrikën Jahoc të Gjakovës si dhe prodhimi i dronave
Në fund të këtij viti do t’i kemi fishekët e parë “Made in Kosova” për Forcën e Sigurisë së Kosovës’’, ka shtuar Kurti.