“Xhepishta”, peng i kufizimeve administrative  - Gazeta Express
string(42) "xhepishta-peng-i-kufizimeve-administrative"

Maqedoni

Gazeta Express

15/05/2026 15:16

“Xhepishta”, peng i kufizimeve administrative 

Maqedoni

Gazeta Express

15/05/2026 15:16

Edhe pse funksionon me kufizime, frekuenca e udhëtarëve në vendkalimin kufitar “Xhepishtë” vazhdon të rritet si në hyrje ashtu edhe në dalje. Sipas të dhënave që ka publikuar për mediat zëdhënësi i SPB-Ohër, Stefan Dimovski, në periudhën janar-prill të këtij viti në këtë vendkalim janë regjistruar 14.918 udhëtarë në të dy drejtimet e kufirit.

Dibër, 15 maj – Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga hapja e vendkalimit kufitar “Xhepishtë”, në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ky vendkalim vazhdon të funksionojë vetëm me karakter lokal dhe me orar të kufizuar. Banorët në të dy anët e kufirit vazhdojnë të kërkojnë që vendkalimi të funksionojë 24 orë dhe të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, ashtu si vendkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve. Megjithatë, pavarësisht premtimeve të shumta nga autoritetet në Shkup dhe Tiranë, deri më tani nuk ka pasur ndryshim në statusin e tij, shkruan gazeta KOHA.

Edhe pse funksionon me kufizime, frekuenca e udhëtarëve në vendkalimin kufitar “Xhepishtë” vazhdon të rritet si në hyrje ashtu edhe në dalje. Sipas të dhënave që ka publikuar për mediat zëdhënësi i SPB-Ohër, Stefan Dimovski, në periudhën janar-prill të këtij viti në këtë vendkalim janë regjistruar 14.918 udhëtarë në të dy drejtimet e kufirit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, është shënuar një rritje e frekuencës prej një për qind, pasi vitin e kaluar në katër muajt e parë ishin regjistruar 14.708 udhëtarë. Muaji janar ka pasur frekuencën më të lartë, me gjithsej 4.678 persona që kanë hyrë dhe dalë përmes këtij vendkalimi. Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shtetas shqiptarë.

Vizituam vendkalimin kufitar “Xhepishtë”, i cili ndodhet rreth 12 kilometra larg Dibrës. Aty takuam R.M. nga fshati Xhepishtë i Dibrës, i cili po kalonte kufirin për të vizituar të afërmit e tij në fshatin Trebishtë të Shqipërisë. “Është shumë mirë që është hapur ky vendkalim kufitar, por problem mbetet fakti se funksionon me orar të kufizuar. Gjatë sezonit veror punon nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa gjatë dimrit nga ora 08:00 deri në 18:00. Shpesh shkojmë tek të afërmit tanë në Trebishtë dhe ky kufizim i orarit na pengon shumë. Nëse kalon ora e mbylljes, jemi të detyruar të udhëtojmë deri te vendkalimi ‘Bllatë’, i cili është shumë larg për ne”, thotë ai.

Takim patëm edhe me F.D., banor i fshatit Tuçep të krahinës së Gollobordës në Shqipëri. “Jam shtetas shqiptar dhe shpesh vij në Dibër dhe në fshatrat Otishan e Xhepishtë, ku kam farefis. Orari i kufizuar na pengon shumë. Kemi bërë shumë kërkesa që vendkalimi të funksionojë 24 orë, ashtu si vendkalimi ‘Bllatë’, por deri tani nuk ka asgjë të re. Këtu kanë ardhur edhe përfaqësues të qeverive të Tiranës dhe Shkupit dhe kanë premtuar se vendkalimi do të punojë 24 orë. Kanë kaluar vite, por kjo ende nuk ka ndodhur”, tha ai.

Reagime ka edhe nga shtetas shqiptarë që kanë hapur restorante dhe biznese në anën shqiptare, shumë pranë kufirit. Ata theksojnë se, përveç banorëve të brezit kufitar, respektivisht të Dibrës dhe zonave përreth, qytetarët e komunave të tjera të Maqedonisë së Veriut nuk mund ta përdorin këtë vendkalim, pasi ai vazhdon të ketë status lokal. Sipas tyre, funksionimi i vendkalimit pa kufizime do të ndikonte dukshëm në zhvillimin ekonomik, turistik dhe familjar të rajonit në të dy anët e kufirit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement