Hantavirusi në kroçierë, ekspertët paralajmërojnë raste të tjera - Gazeta Express
string(63) "hantavirusi-ne-krociere-ekspertet-paralajmerojne-raste-te-tjera"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

14/05/2026 21:29

Hantavirusi në kroçierë, ekspertët paralajmërojnë raste të tjera

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

14/05/2026 21:29

Ekspertët e sëmundjeve infektive kanë paralajmëruar se mund të shfaqen raste të tjera me hantavirus, pas një shpërthimi të pazakontë të lidhur me anijen turistike “MV Hondius”.

Sipas tyre, përhapja e shpejtë e infeksionit mund të jetë nxitur nga një person i ashtuquajtur “superpërhapës”.

Edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve që të përgatiten për raste të reja në javët në vijim.

Tre pasagjerë, një çift nga Holanda dhe një grua nga Gjermania, humbën jetën pasi kishin udhëtuar me anijen “MV Hondius”. Dyshohet se një prej viktimave të para mund të jetë infektuar në një zonë pranë një landfilli në periferi të Ushuaia-s, e njohur si pikë për vëzhgimin e shpendëve, por edhe e mbipopulluar nga brejtës që kërkojnë ushqim.

Virologë të njohur thonë se është e mundshme që Leo Schilperoord, i cilësuar në media si “pacienti X”, të ketë qenë një superpërhapës. Nëse kjo teori konfirmohet, ai mund të ketë luajtur rol kyç në përhapjen e sëmundjes nga njeriu te njeriu me një ritëm të pazakontë.

“Hantavirusi nuk është i ri”, tha profesori Paul Hunter, epidemiolog në Universitetin e Anglisë Lindore. “Por kjo është hera e parë që një shpërthim ndodh në një anije turistike, një mjedis ku infeksionet përhapen lehtësisht, siç ndodh me Covid-in, gripin apo norovirusin.”

Sipas ekspertëve, nuk ka shumë gjasa që përhapja e shpejtë të jetë shkaktuar nga një mutacion i virusit. Ata besojnë se bëhet fjalë për variantin Andes, një lloj hantavirusi i pranishëm në disa zona të Argjentinës dhe i njohur si i vetmi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Ajo që e bën këtë shpërthim të veçantë është mundësia që virusi të jetë marrë nga një person rreth katër ditë para hipjes në anije, duke krijuar kushtet ideale për përhapje në një ambient të mbyllur dhe me kontakt të afërt mes njerëzve.

Shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht pse disa persona bëhen superpërhapës. Një teori është se sistemi i tyre imunitar nuk arrin ta frenojë mirë virusin, ose se ata lëshojnë sasi më të madhe të tij në mjedis. Megjithatë, përvoja me Covid-19 ka treguar se është thuajse e pamundur të parashikohet se kush mund të jetë superpërhapës.

Prof. Hunter tha se ka studime bindëse që tregojnë se superpërhapës të hantavirusit ekzistojnë. Sipas tij, shpjegimi më i mundshëm është që çifti që kishte vizituar zonën e vëzhgimit të shpendëve është infektuar pranë landfillit dhe më pas njëri ose të dy kanë përhapur virusin në një mjedis ku transmetimi ishte veçanërisht i lehtë.

“Kjo është shpjegimi më i mirë që kemi për momentin se pse hantavirusi po përhapet kaq shpejt mes njerëzve”, tha ai.

Aktualisht janë konfirmuar nëntë raste me hantavirus, ndërsa dy të tjera janë të dyshuara.

Hantavirusi mund të shkaktojë dëmtime të rënda në mushkëri dhe dështim të organeve. Zakonisht ai transmetohet përmes urinës, jashtëqitjes ose pështymës së brejtësve. Infektimi te njerëzit ndodh shpesh kur thithen grimca të kontaminuara nga mjedisi.

Deri më tani njihen rreth 40 variante të hantavirusit, përfshirë variantin Andes, i cili është i vetmi që dihet se mund të transmetohet nga një person te tjetri. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement