Në mbledhjen e sotme KQZ mori vendim për certifikimin e 4 prej 5 subjekteve të reja politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë periudhës 2 maj – 10 maj 2026, konfirmoi zëdhënësi Valmir Elezi.
Pas plotësimit të kritereve të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore të KQZ-së, subjektet e certifikuara (3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur) janë:
“• Koalicioni me emrin Lëvizja VETËVENDOSJE!, i cili përbëhet nga 4 parti politike të regjistruara: Lëvizja VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternatia dhe Partia Shqiptare Demokristiane;
• Koalicioni me emrin Koalicija Vakat, i cili përbëhet nga 2 parti politike të regjistruara: Demokratska Stranka Bosnjacka dhe Demokratska Stranka Vatan;
• Koaliconi me emrin ASHKALITË E BASHKUAR, i cili përbëhet nga 3 parti politike të regjistruara: Partia e Ashkailinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; dhe
• Kandidati i pavarur Esmir Kasi”, tha Elezi.
“KQZ mbështeti rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) për refuzimin e certifikimit të nismës qytetare Složno Pobeđujemo, pasi ky subjekt nuk ka arritur të përmbushë kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që kërkohen gjatë aplikimit për certifikim. Në paragrafin 7 të nenit 16 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme është përcaktuar se “…secili aplikim për certifikim përfshinë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve siç parashihet me rregullën e KQZ-së”, ndërsa në paragrafin 7 të nenit 2 të Rregullores Zgjedhore Nr. 04/2024 Certifikimi i Subjekteve Politike dhe i Kandidatëve të tyre, subjektet politike që aplikojnë për certifikim, obligohen ta dorëzojnë listën e mbështetësve me së paku 1,000 nënshkrime”, u shpreh Elezi tutje.
Po ashtu, KQZ mbështeti rekomandimin e Zyrës për refuzimin e certifiimit të partisë politike të regjistruar, SDA – Stranka Demokratske Akcije, pasi ky subjekt politik joparlamentar nuk ka arritur të përmbushë kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që kërkohen gjatë aplikimit për certifikim.
Në përgjithësi, pas vendimeve të mbledhjes së sotme, subjektet politike (3 koalicione, 17 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur) në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, janë:
KOALICIONET:
1. Lëvizja VETËVENDOSJE!;
2. ASHKALITË E BASHKUAR; dhe
3. Koalicija Vakat.
PARTITË POLITIKE:
1. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK;
2. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;
3. AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS;
4. KNRP;
5. PSA;
6. ZA SLOBODU PRAVDU I OPSTANAK;
7. SRPSKA LISTA;
8. FJALA;
9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës;
10. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – PREBK;
11. SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
12. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
13. KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – KDTP;
14. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA;
15. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
16. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS-IRDK; dhe
17. PSD;
KANDIDAT I PAVARUR:
1. Esmir Kasi.