Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, duke folur nga Spitali i Mitrovicës, tha se ishin duke biseduar krejt zakonshëm kur kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, sulmoi bashkëpartiakun e saj, kryetar të degës së VV’së në këtë komunë, Hysni Mehani, i cili është edhe zëvendësministër.
“Fare të shpërqendruar në muhabetin tonë pa asnjë vëmendje të asaj se ka po ndodhte përreth dhe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me z. Lushtaku, ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë si keni pasë mundësinë me pa edhe dëmin që e ka në fytyrë. Kur sekretari i qendrës tonë, Bahri Zabeli, tentoi të ndërhyjë për të e qetësuar situatën, me i nda pak, mos me vazhdu ajo përplasja fizike, ai u sulmua nga personat të tjerë që ishin bashkë me Lushtakun në atë moment”.
Fejza tha se gjithçka ka ndodhur “pa asnjë provokim dhe pa asnjë reagim prej anës tonë”.
E pyetur nga gazetarët për deklaratën e Lushtakut se atij iu referua si “Sami Serbia”, Fejza mohoi se kanë përmendur emrin e tij.
“Unë po ju siguroj. Unë kam qenë aty dhe besoj ka edhe të tjerë dëshmitarë okularë aty. Ne kemi qenë duke biseduar për një çështje s’ka të bëjë me Skenderajn as çështjen për të cilën po flasim. As fare s’është përmendur emri i tij, kemi qenë duke folur për një çështje të punës kur ai ka ardhur dhe e ka sulmuar zëvendësministrin”.
Lushtaku ka mohuar se ka sulmuar Mehanin duke thënë se qytetarët kanë reaguar nga kësaj etikete “Sami Serbia”./Express/