Real Madridi e ka marrë një fitore të rëndësishme në gjykatë lidhur me çështjen e ndotjes akustike nga koncertet e zhvilluara në stadiumin “Santiago Bernabéu”.
Gjykata Provinciale e Madridit ka vendosur se klubi madrilen dhe drejtuesit e tij nuk kanë kryer asnjë vepër penale në lidhje me zhurmën e shkaktuar gjatë eventeve muzikore të organizuara në stadium.
Vendimi e rrëzon procedurën penale që ishte hapur më herët ndaj drejtorit të përgjithshëm të klubit, José Ángel Sánchez, dhe kompanisë “Real Madrid Estadio S.L.”, pas ankesave të banorëve pranë stadiumit për nivelet e larta të zhurmës gjatë koncerteve të artistëve të famshëm si Taylor Swift, Karol G dhe Luis Miguel.
Sipas vendimit të gjykatës, përgjegjësia për respektimin e kufijve të lejuar të zhurmës bie mbi kompanitë promotore që organizojnë koncertet dhe jo mbi Real Madridin si pronar i stadiumit, shkruan “El Pais”, përcjell “Gazeta Express”.
Gjykatësit theksuan se shkeljet administrative të rregullave mjedisore nuk përbëjnë automatikisht vepër penale.
Në komunikatën zyrtare të klubit madrilen thuhet se vendimi “e konfirmon mungesën totale të bazës ligjore të padisë” së ngritur nga shoqata e banorëve të zonës së Chamartínit.
Real Madridi shtoi se gjithmonë ka vepruar në përputhje me ligjin dhe ka bashkëpunuar me autoritetet për t’i respektuar normat akustike.
Megjithatë, edhe pse klubi është shpallur i pafajshëm në aspektin penal, çështja nuk konsiderohet plotësisht e mbyllur.
Shoqata e banorëve ka paralajmëruar apelim të vendimit, ndërsa disa kompani organizatore koncertesh kanë bërë të ditur se nuk do të rikthehen në “Bernabéu” derisa stadiumi ta përmirësojë izolimin akustik ose të ndryshojë legjislacioni lokal.
Problemet nisën pas rinovimit gjigant të stadiumit “Santiago Bernabéu”, projekt që i kushtoi klubit mbi 1.5 miliardë euro dhe e kishte si synim ta kthente arenën në një qendër multifunksionale për sport dhe evente muzikore gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, koncertet e vitit 2024 sollën ankesa të shumta nga banorët për zhurmë të tepërt, bllokim rrugësh dhe probleme me cilësinë e jetës.
Për shkak të presionit ligjor dhe ankesave të vazhdueshme, Real Madridi e kishte pezulluar përkohësisht organizimin e koncerteve në stadium që nga shtatori i vitit 2024, ndërsa klubi po punon ende për përmirësimin e sistemit të izolimit akustik. /Gazeta Express
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...