Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka dalë publikisht në mbështetje të presidentit Florentino Pérez pas deklaratave të bujshme për çështjen “Negreira” dhe pretendimeve se madrilenëve u janë “vjedhur” disa tituj të La Ligës.
Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes ndaj Real Oviedos, Arbeloa u pyet drejtpërdrejt për deklaratën e Pérez, i cili tha se gjatë presidencës së tij Real Madridi duhet t’i kishte fituar 14 kampionate dhe jo vetëm shtatë, pasi sipas tij shumë tituj janë ndikuar nga skandali i arbitrave në Spanjë, përcjell “Gazeta Express”.
Arbeloa nuk hezitoi ta mbështesë presidentin madrilen.
“Po, sigurisht. Të gjithë e dimë çfarë ka ndodhur për më shumë se 20 vite”, deklaroi trajneri spanjoll, duke iu referuar hetimeve për çështjen “Negreira”.
Ish-mbrojtësi i Real Madridit shtoi se në klub ekziston bindja se futbolli spanjoll duhet të japë përgjigje përfundimtare për atë periudhë.
“Ne të gjithë duam që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe të ketë transparencë”, u shpreh Arbeloa para gazetarëve.
Megjithatë, Arbeloa bëri të qartë se ai vazhdon të ketë besim të plotë te Florentino Pérez dhe e konsideron atë figurën më të rëndësishme në historinë moderne të klubit.
“Përkrah Santiago Bernabéut, Florentino është personi më me ndikim në historinë e Real Madridit. Nëse dikush mund ta ndryshojë këtë situatë, ai është Florentino Pérez”, përfundoi trajneri madrilen.
Një ditë më parë, Florentino Pérez kishte shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp, ku jo vetëm që refuzoi të largohej nga posti i presidentit, por e akuzoi drejtpërdrejt Barcelonën dhe sistemin arbitral për dëmtimin e Real Madridit ndër vite.
“I kam fituar 7 Liga, por në realitet janë 14. Të tjerat na janë vjedhur”, deklaroi Pérez, duke pretenduar se klubi madrilen e ka përgatitur edhe një dosje prej mbi 500 faqesh për UEFA-n në lidhje me çështjen “Negreira”.
Deklaratat e presidentit të Real Madridit kanë shkaktuar reagime të forta në Spanjë, sidomos nga Barcelona dhe mediat pranë klubit katalunas. /Gazeta Express
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...