Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Zetës, i cili miratoi një deklaratë për “shfuqizimin” e njohjes së Kosovës në territorin e asaj komune, duke e cilësuar këtë veprim si një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane të Malit të Zi.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Dukaj tha se nuk është i befasuar nga deklarata e Kuvendit të Komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se, pa hyrë në aspektet kushtetuese dhe juridike që këtij akti politik nuk i japin karakter detyrues, bëhet fjalë për një përpjekje për të marrë kompetenca që nuk i takojnë pushtetit lokal dhe për ndërhyrje në marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat, sipas tij, janë një nga objektivat kryesore të shtetit.
“Në vend që komuna më e re të përqendrohet në krijimin e kushteve më të mira për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, po dëshmojmë përpjekje për dobësimin e institucioneve përmes devijimeve brenda sistemit, të motivuara nga interesa të ngushta politike dhe strategji gjeopolitike të lidhura me to”, deklaroi Dukaj.
Në fund, ai vlerësoi se ky veprim përbën “një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane”, duke paralajmëruar se iniciativa të tilla mund të dëmtojnë orientimin proevropian dhe stabilitetin institucional të vendit.