Erërat e forta që kanë kapluar Prishtinën dhe gjithë vendin kanë shtyrë institucionet lokale të përgatiten për çdo situatë.
Në kryeqytet gjatë ditës Komuna e Prishtinës ka intervenuar në pjesë të ndryshme të qytetit, kryesisht për raste të rënies së llamarinave për shkak të erërave, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë situatë serioze apo rrezik për qytetarët.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtnë, Lulzim Fushtica për KosovaPress ka thënë se gjatë ditës së sotme kanë qenë në në koordinim të vazhdueshëm me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.
Ai tha se në mëngjes kanë zhvilluar konsultime shtesë me ta dhe janë siguruar që aktualisht nuk ka arsye për panik.
“Edhe gjatë orëve të mëngjesit, por edhe pak më herët gjatë ditës, kemi zhvilluar konsultime shtesë me ta dhe jemi siguruar se aktualisht nuk ka arsye për panik. Pavarësisht kësaj, që nga mbrëmja e kaluar kemi angazhuar të gjitha strukturat relevante dhe të gjitha ekipet emergjente ndodhen në gjendje të plotë gatishmërie”, tha Fushtica.
Ai bëri të ditur se në gatishmëri janë ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve, Policia e Kryeqytetit, si dhe ekipet për intervenime emergjente.
Më tej, ai njoftoi se gjatë ditës kanë pasur disa intervenime por nuk është ndonjë situatë serioze.
“Gjatë ditës kemi pasur disa intervenime në pjesë të ndryshme të qytetit, kryesisht raste të rënies së llamarinave për shkak të erërave, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë situatë serioze apo rrezik për qytetarët”, shtoi ai.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtnë ka ftuar të gjithë qytetarët që në rast nevoje apo shqetësimi të kontaktojnë numrat emergjentë 0800 12233 dhe 12244, duke shtuar se mbetën të gatshëm t’i përgjigjen cdo shqetësimi apo kërkese të tyre.
Ndërkohë, ndërmarrja publke lokale “Gjelbër” ka kërkuar nga qytetarët që për shkak të erërave të forta të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes nëpër parqe, hapësirave të gjelbëruara dhe gjatë parkimit të veturave pranë pemëve.