Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë raste të fruthit, dhe se, sipas komunave numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë raste, Prishtinës tre raste, Kaçanikut tre raste dhe me nga një rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Tutje, shtohet se, të tha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubellës si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.
‘’ Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse’’, thuhet në reagim.
Postimi:
Situata epidemiologjike me fruth – përditësim
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë (14) raste të fruthit.
Sipas komunave: numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë (5) raste, Prishtinës tre (3) raste, Kaçanikut tre (3) raste dhe me nga një (1) rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.
Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.
IKSHPK dhe institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.
IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.
Mbrojtja e shëndetit publik është përgjegjësi e përbashkët, prandaj IKSHPK bën thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi qytetare me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve.