Një studim i ri ka treguar se vetëm dy klube kanë përfituar më shumë nga vendimet e VAR-it sesa Arsenali këtë sezon, pas fitores së tyre 1-0 ndaj West Ham Unitedit.
“Topçinjtë” menduan se kishin pranuar golin e barazimit në minutën e 95-të të dielën, kur Callum Wilson realizoi për West Hamin.
Megjithatë, VAR-i e anuloi golin për shkak të një faulli ndaj portierit David Raya gjatë aksionit.
Pamjet treguan se Raya po tërhiqej nga fanella nga Jean-Clair Todibo teksa dilte për të larguar topin pas një goditjeje nga këndi, ndërsa Pablo e goditi me krah në qafë.
Sidoqoftë, disa kanë vënë në dyshim vendimin, duke sugjeruar se edhe faulle të tjera nga të dy ekipet në zonë mund të ishin ndëshkuar – megjithëse pamjet duket se tregojnë se faulli i Pablos ndodhi i pari.
Trajneri i West Hamit, Nuno Espirito Santo, akuzoi gjyqtarët se nuk “e dinë çfarë është faulli”, ndërsa trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e lavdëroi vendimin.
Ky vendim mund të ketë pasoja në të dyja skajet e tabelës në fund të sezonit, pasi një barazim për Arsenalin do t’i kishte hapur rrugë Manchester Cityt që ta fitonte titullin e Premierligës me golavarazh, nëse të dy ekipet fitojnë dy ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, një pikë për West Hamin, që renditet i 18-ti, do ta barazonte me Tottenham Hotspurin në vendin e 17-të, edhe pse me një ndeshje më shumë dhe golavarazh më të dobët.
Një studim i ri i përpiluar nga “AceOdds” ka treguar se Arsenali ka përfituar nga VAR-i për sa i përket pikëve, dhe diferenca e tyre ndaj Manchester Cityt në krye të tabelës do të ishte më e vogël pa teknologjinë.
Sipas studimit, City do të ishte tani favoriti kryesor për titull pa VAR-in, me skuadrën e Pep Guardiola vetëm një pikë pas Arsenalit dhe me një ndeshje më pak.
Brighton & Hove Albioni do të kishte shtatë pikë më shumë dhe do të ngjitej nga vendi i shtatë në të katërtin, ndërsa Bournemouthi, me pesë pikë më shumë, do të renditej i pesti.
Kjo do t’i zbriste Aston Villas (minus një pikë) dhe Liverpooli (pa ndryshim) në vendin e gjashtë dhe të shtatë.
Sa i përket zonës së rënies nga liga, West Hami do të ishte ende një pikë larg mbijetesës, por rivali i tyre më i afërt nuk do të ishte Tottenhami, por Nottingham Foresti.
Kjo sepse studimi vlerëson se Foresti ka fituar gjashtë pikë falë VAR-it këtë sezon, ndërsa Spurs kanë humbur katër pikë.
Sunderlandi, që gjithashtu ka përfituar gjashtë pikë nga teknologjia, nuk do të ishte matematikisht i sigurt në vendin e 14-të, por do t’i mjaftonte një pikë nga ndeshjet e mbetura.
Ndërkohë, Crystal Palace, me katër pikë më shumë falë VAR-it, do të ishte vetëm katër pikë mbi zonën e rënies, edhe pse me një ndeshje më pak.
Sipas studimit, në fund të majit skuadra e Guardiolës do ta fitonte titullin e Premierligës me dy pikë diferencë pa VAR-in, ndërsa West Hami do të binte nga liga./GazetaExpress/
SI DO TË DUKEJ TABELA E PREMIERLIGËS PA VAR-in:
1) Arsenal – 74 pikë
2) Manchester City – 73 pikë
3) Manchester United – 65 pikë
4) Brighton (+3) – 60 pikë
5) Bournemouth (+1) – 60 pikë
6) Aston Villa (-1) – 60 pikë
7) Liverpool (-3) – 59 pikë
8) Everton (+2) – 51 pikë
9) Fulham (+2) – 48 pikë
10) Chelsea (-1) – 47 pikë
11) Brentford (-3) – 47 pikë
12) Newcastle (+1) – 45 pikë
13) Leeds (+3) – 44 pikë
14) Sunderland (-2) – 42 pikë
15) Tottenham (+2) – 41 pikë
16) Crystal Palace (-1) – 40 pikë
17) Nottingham Forest (-1) – 37 pikë
18) West Ham – 36 pikë
19) Burnley – 24 pikë
20) Wolves – 20 pikë