Cesc Fàbregasi ka deklaruar se është “shumë i lumtur dhe krenar” pasi udhëhoqi Comon drejt kualifikimit të parë historik në garat europiane, duke shtuar se skuadra e tij shpreson të “fluturojë edhe më lart” para përfundimit të sezonit 2025-26: “Ne nuk jemi Milani, Interi, Juventusi apo Napoli”.
Como mori një fitore 1-0 në transfertë ndaj Hellas Veronas në Serie A falë golit të vetëm nga Tasos Douvikas të dielën pasdite, rezultat që do të thotë se skuadra nuk mund ta mbyllë sezonin më poshtë se vendi i gjashtë në tabelë.
Ata tashmë kanë siguruar një vend në Ligën e Konferencës, por vazhdojnë të jenë në garë edhe për Ligën e Evropës dhe Ligën e Kampionëve para dy ndeshjeve të fundit të sezonit 2025-26.
Sot bëhen saktësisht dy vite që kur Como siguroi ngjitjen nga Serie B.
Fàbregasi e udhëhoqi ekipin drejt një përfundimi në gjysmën e sipërme të tabelës në sezonin e parë pas rikthimit në elitë në 2024-25, ndërsa tani ka siguruar kualifikimin europian për herë të parë në historinë e klubit.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar sot,” tha spanjolli për “DAZN” pas ndeshjes në Verona.
“Dy vite më parë sot u ngjitëm në Serie A dhe sot po kualifikohemi në Europë. Ekipi, klubi dhe tifozët janë rritur të gjithë: është e pashpjegueshme. Këtë ditë do ta kujtojmë edhe pas njëzet vitesh. Në ditët e sotme, me rrjetet sociale, gjithçka ecën shumë shpejt, ka shumë presion. Duhet ta shijosh momentin. Nuk e mbaj mend sa trofe kam fituar, por ka ende shumë për të ardhur. Tani kemi edhe dy ndeshje dhe do të shohim nëse mund të fluturojmë edhe më lart”, tha ai.
Como ishte ndër pesë klubet që shpenzuan më shumë gjatë merkatos së verës dhe investoi më shumë se çdo klub tjetër në Itali në dimrin e vitit 2025, por Fàbregasi ka marrë vlerësime të veçanta për stilin e lojës që ka arritur të implementojë.
“Ka shumë ndeshje gjatë sezonit, nuk mund të luajmë gjithmonë në të njëjtën mënyrë,” insistoi trajneri.
“Shumë tifozë më kanë dërguar mesazhe sot duke folur për kohën kur ishim në Serie D. Ne nuk jemi Milani, Interi, Juventusi apo Napoli, ne jemi një skuadër modeste dhe duam ta shijojmë këtë moment”, shtoi ai.
Fàbregasi kishte planifikuar të udhëtonte drejt Spanjës për të ndjekur “El Clásicon” mes Barcelonës dhe Real Madridit më vonë gjatë mbrëmjes, por festimet në Como mund t’ia ndryshojnë mendjen.
“Kam një avion në orën 17:30, nuk e di nëse do të shkoj ta shoh ‘El Clasicon’, do të vendos pas gjysmë ore”, e mbylli ai./GazetaExpress/