Qeveria britanike është nxitur të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj pronarit të Manchester Cityt, Sheikh Mansour bin Zayed Al-Nahyan, mes konfliktit në Sudan.
Klubi i Premierligës vazhdon të jetë nën hetim për mbi 115 akuza të pretenduara për shkelje të rregullave të fair play financiar, ndërsa City ka këmbëngulur se nuk është fajtor për asnjërën prej tyre.
Mansour e ka transformuar klubin anglez që nga përfundimi i blerjes së tij në vitin 2008, duke fituar tetë tituj të Premierligës, një trofe të Ligës së Kampionëve, tre FA Cup dhe shtatë Kupa të Ligës.
Marrja nën kontroll e klubit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka sjellë gjithashtu rigjenerim të madh në zonën Eastlands, përfshirë rizhvillimin e stadiumit “Etihad”.
“Arena Co-Op Live” në Manchester ndodhet gjithashtu pranë Qendrës Kombëtare të Çiklizmit dhe Velodromit, si dhe Qendrës Kombëtare të Squashit.
Konflikti në Sudan ka marrë të paktën 150,000 jetë sipas agjencive të ndryshme humanitare dhe qeverisë së SHBA-së.
Qeveria britanike po përballet me presion në rritje nga organizata për të drejtat e njeriut FairSquare për të hetuar rolin e Mansour në mbështetjen e pretenduar të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj një grupi paramilitar të akuzuar për krime lufte, sipas “The Athletic”.
Emiratet e Bashkuara Arabe mohojnë fuqishëm të jenë palë në konflikt.
FairSquare pretendon se nëse qeveria britanike vendos të imponojë sanksione ndaj Mansour, ai do të skualifikohej nga pronësia e Manchester City sipas rregullave të Premierligës.
Ata shtojnë se ankesa e tyre i është dërguar drejtpërdrejt Premierligës dhe Rregullatorit të ri të pavarur të Futbollit.
“Nëse qeveria britanike është serioze për ndalimin e këtij konflikti të tmerrshëm, lidhjet e dokumentuara mirë të Sheikh Mansour me RSF dhe pronësia e tij e Manchester City ofrojnë një pikë shumë të qartë presioni”, tha drejtori i FairSquare, Nick McGeehan.
Qeveria britanike ka vendosur një precedent me ish-pronarin e Chelseat, Roman Abramovich, të cilit iu ngrinë asetet në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës.
Chelsea u shit më pas te një konsorcium i udhëhequr nga Todd Boehly dhe “Clearlake Capital” për më shumë se 4 miliardë paund.
Abramovich dhe qeveria britanike mbeten ende në një betejë ligjore lidhur me të ardhurat nga shitja.
Çdo sanksion i vendosur ndaj Mansour do të rezultonte në shkeljen e Testit të Pronarëve dhe Drejtorëve të Premierligës./GazetaExpress/