Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë se ka raste kur personat me probleme mendore, me vendim të gjykatës adresohen në institucionet korrektuese derisa të krijohen kushtet në repartet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas Dibranit, trajtimi i këtyre rasteve është një sfidë e jashtëzakonshme, veçanërisht për shkak të mungesës së stafit profesional.
“Natyrisht është sfidë e jashtëzakonshme trajtimi i rasteve të cilat në shumicën e rasteve nxjerren aktvendime për trajtim të detyrueshëm në raste kur ka mungesë të hapësirave neve gjyqtarët detyrohen që këta persona në krijimin e hapësirave, deri në krijimin e shtretërve atje, këta persona të mbahen në burgje. E që natyrisht është e vështirë sepse nuk ka ekspertë që do t’i trajtonin këto raste sepse vetë nxjerrja e një aktvendimi për trajtim të detyrueshëm do të thotë që këta duhet t’i nënshtrohen një ekzaminimi nga ekspertë të fushës dhe jo nga mjekë që funksionojnë në spitale në kuadër të burgjeve”, është shprehur Dibrani në një intervistë për “Betimi për Drejtësi“.
Sipas tij, numri i rasteve të tilla mund të jetë 10.
“Ka raste të shpeshta, ka pasur raste me dhjetëra në të kaluarën, por më pak se 10 raste mund të jenë”, shtoi Dibrani.
Gjithashtu, drejtori foli edhe për shifrat e kategorive të ndjeshme si të miturit dhe gratë që gjenden në institucionet korrektuese.
“Kemi mbi 60 të mitur…. që pothuajse ka aktivitete ditore dhe kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga shumë organizata dhe donatorë të ndryshëm. Po ashtu, qendra korrektuese për gra që nuk ndryshon asnjëherë nga 40 deri në 50 është me vite që kur janë këto shifra. Për momentin janë shembull i funksionimit të mirë”, përfundoi Dibrani.
Për të gjitha këto dhe më shumë, ndiqeni intervistën e plotë me Ismail Dibranin- drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, që transmetohet në T7, Gazeta Express dhe në platformat online të Betimit për Drejtësi.