Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka shpallur Shqipe Neziri Velën fituese të çmimit “Europiania e Vitit 2026”, për kontributin e saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe promovimin e qeverisjes së qëndrueshme në sektorin e energjisë në Kosovë dhe më gjerë, transmeton albinfo.
Sipas Zyrës së BE-së, Neziri Vela është një profesioniste me mbi 20 vjet përvojë në sektorin e energjisë, qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit. Ajo u vlerësua veçanërisht për rolin e saj si bashkëthemeluese e organizatës “Gratë në Energji dhe Miniera”, përmes së cilës ka kontribuar në mentorimin dhe trajnimin e qindra studenteve dhe profesionisteve të reja.
“Si bashkëthemeluese e organizatës ‘Gratë në Energji dhe Miniera’, ajo ka luajtur rol kyç në ofrimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit për qindra studente dhe profesioniste… duke krijuar një gjeneratë të re lidere në sektorë historikisht të dominuar nga burrat”, thuhet në vlerësimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Zyra e BE-së bëri të ditur se Neziri Vela ishte një nga katër të nominuarit nga publiku i Kosovës, bashkë me Avni Mustafën, drejtor i Roma Versitas Kosova, Dejan Radivojeviqin, drejtor i Forumit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multi-Etnik, si dhe Rozafa Bashën, prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës.
Paneli shqyrtues i nominimeve ishte i përbërë nga anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të prezencës së BE-së në Kosovë.