Zyra e Rregullatorit për Energji, ka aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për periudhën 2026-2027. Struktura tarifore e aprovuar në mbledhjen Bordit të ZRRE-sot nuk parasheh rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët.
“Miratohen tarifat e reja pa ndryshim, pa rritje, siç kanë qenë vitin e kaluar”, tha Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRRE-së.
Të martën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar të hyrat maksimale për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n.
Të hyrat maksimale për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT për vitin 2026 janë 76 milionë e 444 mijë euro.
Të hyrat maksimale të lejuara për KEDS-in, janë 185 milionë e 960 mijë euro.
Sipas ZRRE-së këtu janë marrë parasysh edhe devijimet e kostove nga vitet e kaluara.
Ndërsa për KESCO-n të hyrat maksimale që u aprovuan janë 442 milionë e 228 mijë euro.
Me 16.04.2025, Zyra e Rregullatorit për Energji, miratoi tarifat e energjisë elektrike me një rritje prej 16.1%, nga ato paraprake.
Nga 01.05.2025, tarifa ditore në bllokun e konsumit mujor deri në 800 kilovatë orë, ishte ngritur nga 7.79 në 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e natës nga 3.34 në 3.88 centë.
Ndërkaq, në bllokun e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë, tarifa ditore ishte ngritur nga 13.29 në 15.43 centë për kilovat dhe ajo e natës nga 6.27 në 7.28 centë.
Ngritja e tarifave ishte lineare, për të gjithë konsumatorët në kuadër të Shërbimit Universal, si dhe të dyja blloqet e konsumit mujor, nën dhe mbi 800 kilovatë orë.
“Gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit me obligim të shërbimit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm”, kishte deklaruar Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së në mbledhjen e datës 16.04.2025.