Vajza që u bë heroinë - Gazeta Express
string(21) "vajza-qe-u-be-heroine"

Lajme

Gazeta Express

07/05/2026 8:23

Vajza që u bë heroinë

Lajme

Gazeta Express

07/05/2026 8:23

Një rrëfim për një vajzë të re nga Gjakova, e cila, mes ëndrrave për jetën dhe dashurisë për artin, u bë simbol i sakrificës për liri. Historia e Yllka Domit mbetet dëshmi e një brezi që u rrit me plagën e robërisë dhe me besimin se liria kërkon gjithçka.

Dea Krasniqi

Segmenti që lidh rrugën kryesore me urën te Kroi i Rexhep Agës në Gjakovë, si dhe një tjetër rrugë në kryeqytet, mbajnë emrin e heroinës nga Gjakova, Yllka Domi. Në Kosovë, gati të gjitha rrugët janë të emëruara sipas burrave që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin, por baras me ta, gjithçka nga vetja dhanë edhe gratë e vajzat si Yllka, emrat e të cilave do të duhej t’i lexonim më shpesh kalimthi, kur t’i hidhnim sytë drejt ndonjë tabele.

Yllka Domi. Një poete, e cila që e vogël kishte shkruar për gjëra shumë të mëdha. Pas dy muajsh do t’i mbushte 17 vjet, por kjo nuk ndodhi, pasi ajo u vra në “Betejën e Çabratit”, më 7 maj të vitit 1999, sot 27 vjet më parë. Kur flitet për Yllkën, thuhet se ajo kishte pasur një parandjenjë dhe se çështja e lirisë kishte qenë ajo për të cilën mendonte vazhdimisht.

“Dua të bëhem mjeke, të shëroj njerëzit dhe të më thonë, i kishte duart e arta”.

Kjo ishte një dëshirë që Yllka e kishte shkruar kur ishte 14 vjeç e 7 muaj, të cilën e gjeta në librin “Fluturimi i fundit me dallëndyshet”.

Yllka nuk arriti ta përmbushte dëshirën për t’u bërë mjeke, por gjithsesi kujtohet si heroinë me “duart e arta”. Me po ato duar, ajo kishte shkruar poezi që të mbajnë gjatë në mendime. I pëlqente arti, muzika, vallëzimi dhe aktrimi. Mbi të gjitha, e veçantë ishte mënyra se si i trajtonte të tjerët.

“Ka qenë e mirë me fëmijë, me të moshuar e me shoqëri, gjithmonë ka lënë përshtypje të mira”, tregon nëna e saj, Dashurije Domi.

Yllka, që e vogël, kishte shkruar vargje për lirinë dhe për realitetin që e rrethonte. Kjo shihet qartë në poezitë e saj.

LUMTURIA

Sot jam e lumtur,

Mami e lumtur jam.

Buzëqeshjet e natyrës

Gufojnë në lulë.

Dielli në buzë,

Hëna në bebëza.

Ajri kundërmon, mami,

Cicërima është elegji.

A jam e lumtur, mami,

Në ajrin pa liri?

“Ka mendu që kur të çlirohemi kemi me qenë të lumtur, dikush duhet me shku për me fitu lirinë, liria pa gjak nuk fitohet”, kujton nëna e saj.

Ajo kishte ndjekur një kurs për t’u ndihmuar të plagosurve në luftë dhe kishte mësuar edhe përdorimin e armëve.

“A ka ma kënaqësi se me marrë flamurin e me hypë në Çabrat e me thonë, Kosova është e lirë”.

7 maji është dita që ia ndërpreu ëndrrat Yllkës për të përmbushur atë më të madhën, lirinë. Viti 1999, një ditë pranvere që përjetësoi heroinën.

Duke ikur, ajo e takoi bashkëluftetaren Mimoza Shalën, dhe të tjerë.

Mimoza rrëfen se luftimet kishin nisur në mëngjes dhe se Yllka ishte bashkuar me ta drejt Çabratit. Ajo i kishte kërkuar disa herë të mos ngjitej më lart, por Yllka kishte këmbëngulur.

“Gjatë luftimeve kemi kënduar ‘Besa Besë’, dhe ajo këndoi bashkë me ne, nuk kaloi shumë dhe u afruan paramilitarët serbë, të njëjtit që më plagosën mua, e vranë edhe Yllkën”.

Ajo shton se kjo mbetet një nga kujtimet më të rënda. “Jam ndier shumë e pafuqishme, më ka mbetur si peng”.

Po të shkosh në shtëpinë e Yllkës, mund ta ndjesh praninë e saj shumë afër. Aty shihet se, përkrah vajzës së guximshme, ajo kishte qenë edhe e vogla e nënës, me ëndrra si të gjithë.

Nëna ruan albumin me fotografi, ku shihet një Yllkë që i bënte të gjithë të ndiheshin mirë, me shoqet, me familjen, gjithmonë me buzëqeshje.

Në përditshmëri, ajo kishte zakone të thjeshta, i pëlqenin pallaqinkat që i merrte pa pritur dhe patatet e skuqura.

Yllka këndonte shpesh “Unbreak My Heart” dhe ishte shumë e mirë edhe në skijim.

Për të është realizuar edhe një këngë nga këngëtari Edi Furra, i cili u prek nga vargjet e saj dhe i ktheu në muzikë.

Libri “Fluturimi i fundit me dallëndyshet” përmbledh krijimet e saj, të mbledhura nga Agim Byci. Nisma për këtë libër nisi nga gazetari i New York Times Magazine, Chris Stephen, i cili, pasi dëgjoi për një poete të re të vrarë, erdhi në Gjakovë dhe kërkoi shkrimet e saj në shtëpinë e rrënuar. “Kur një njeri nga skaji i botës interesohej për poeten tonë, u ndjeva i obliguar të bëj diçka”, kujton Agim Byci.

Me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe familjes, u arrit të mblidheshin disa nga poezitë e Yllkës, edhe pse shumë prej tyre kishin humbur.

Botimi i librit ishte sfidë për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale, megjithatë ai sot mbetet një pasuri e çmuar.

Kjo ishte Yllka Domi, vajza që sot mban titullin e heroinës,

Yllka, heroina me duart e arta.

Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement