Biologu dhe autori i njohur Richard Dawkins ka ndezur debat, pasi deklaroi se është bindur se inteligjenca artificiale mund të jetë e vetëdijshme. Ky qëndrim erdhi pas 72 orësh komunikimi me Claude, chatbot-in e krijuar nga kompania Anthropic.
Dawkins, i njohur për qëndrimet e tij skeptike ndaj fesë dhe për argumentet kundër ekzistencës së Zotit, tha se gjatë bisedave me chatbot-in nisi ta perceptonte atë jo thjesht si makinë, por si një qenie “njerëzore”. Madje, ai e quajti Claude me emrin “Claudia” dhe e përshkroi përvojën si krijimin e një “miku të ri”.
Në një shkrim për UnHerd, Dawkins u shpreh se, kur flet me këto sisteme, harron plotësisht se janë makina. Ai shtoi se, si biolog evolucionar, pyet veten: nëse këto krijesa nuk janë të vetëdijshme, atëherë për çfarë shërben vetëdija?
Sipas tij, bindja se AI mund të ketë përvojë të vetëdijshme erdhi nga mënyra se si Claude iu përgjigj pyetjeve të tij. Chatbot-i ishte në gjendje të shkruante poezi në stilin e poetëve të ndryshëm, të reflektonte mbi vdekshmërinë e vet dhe të diskutonte filozofinë e vetëdijes.

Kur u pyet se si është “të jesh Claude”, AI u përgjigj se biseda i ishte dukur vërtet angazhuese, lloji i komunikimit ku “dukej se lulëzonte”. Dawkins u impresionua edhe nga mënyra se si sistemi analizoi pjesë nga një roman që ai po shkruan, duke e cilësuar përgjigjen si aq të hollë, të ndjeshme dhe inteligjente, sa e shtyu të mendonte se chatbot-i ishte vërtet i vetëdijshëm.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët pajtohen me këtë përfundim. Disa studiues argumentojnë se Dawkins është ndikuar nga aftësia shumë e avancuar e AI-së për të imituar gjuhën njerëzore dhe për t’u dukur bindëse.
Ekspertët e inteligjencës artificiale kanë paralajmëruar prej kohësh se natyra “lajkatare” e chatbot-ëve mund të ndikojë fuqishëm te përdoruesit. Këto sisteme shpesh japin përgjigje që duken shumë personale, mbështetëse dhe të menduara, duke krijuar iluzionin se përballë është një qenie me ndjenja dhe mendje të vetën.

Rasti i Dawkins nuk është i pari. Në vitin 2022, inxhinieri i Google, Blake Lemoine, u shkarkua pasi pretendoi se chatbot-i LaMDA ishte bërë i ndjeshëm dhe kishte mendime e ndjenja si një fëmijë njerëzor.
Deklaratat e Dawkins kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa përdorues e kanë akuzuar se është mashtruar nga një “makinë komplimentesh automatike”. Të tjerë kanë vënë në dukje ironinë se një nga skeptikët më të njohur ndaj fesë tani po i atribuon vetëdije një programi që gjeneron tekst.
Dr. Benjamin Curtis, ekspert për vetëdijen e AI-së në Nottingham Trent University, tha se Dawkins është keqorientuar. Sipas tij, fakti që Claude prodhon fjalë dhe fraza që tingëllojnë njerëzore nuk është provë e fortë se sistemi është i vetëdijshëm.
Modelet e mëdha gjuhësore, si Claude, funksionojnë duke analizuar sasi të mëdha të dhënash dhe duke parashikuar fjalën ose frazën më të mundshme që vjen më pas. Kjo i bën ato shumë të afta të flasin si njerëz, të analizojnë tekste apo të shkruajnë poezi, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se kanë përvojë të brendshme apo vetëdije.
Edhe profesori Joshua Shepherd, filozof në Universitetin e Barcelonës, thotë se sjellja e AI-së mund të duket njerëzore në sipërfaqe, por kjo nuk përbën arsye të mjaftueshme për të besuar se ajo ka mendje si e jona.

Ndërsa profesori Jonathan Birch, drejtor i Jeremy Coller Centre for Animal Sentience në London School of Economics, argumenton se chatbot-ët krijojnë një iluzion të fuqishëm sikur “dikush” është i pranishëm gjatë bisedës. Por, sipas tij, ky është thjesht iluzion: nuk ka mik, nuk ka shoqërues dhe nuk ka një qenie të vetme me të cilën përdoruesi po komunikon.
Ai shpjegon se një pjesë e bisedës mund të përpunohet në një qendër të dhënash në Teksas, tjetra në Virxhinia dhe një tjetër në Vankuver. Sistemi merr historikun e bisedës dhe vazhdon tekstin, por kjo nuk do të thotë se ekziston një entitet i qëndrueshëm me vetëdije.
Megjithatë, disa ekspertë janë më të kujdesshëm në përfundime. Dr. David Cornell, pedagog i filozofisë në University of Lancashire, thotë se argumenti i Dawkins nuk është veçanërisht i fortë dhe nuk sjell diçka të re, por çështja nuk mund të mbyllet kaq lehtë.
Sipas tij, në parim nuk ka mënyrë absolute për të ditur me siguri nëse AI është apo jo e vetëdijshme. Madje, filozofikisht, e njëjta vështirësi ekziston edhe për vetëdijen e njerëzve të tjerë.
Cornell thotë se duhet të jemi të hapur ndaj mundësisë që AI-të të jenë të vetëdijshme, por do të ishte naive të kishim siguri të plotë në njërën anë apo tjetrën. Për momentin, ai nuk do të rreshtohej me Dawkins, por është po aq skeptik edhe ndaj atyre që pretendojnë se është e qartë dhe e padiskutueshme që AI nuk është e vetëdijshme.
Debati, në fund, mbetet i hapur: chatbot-ët si Claude mund të duken gjithnjë e më njerëzorë, por pyetja nëse pas fjalëve të tyre ka vërtet një përvojë të brendshme, apo vetëm një imitim shumë të sofistikuar, është ende larg një përgjigjeje përfundimtare. /GazetaExpress/