Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, njofton se ka realizuar me sukses një operacion në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, duke parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar.
Sot, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, “është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë (M.L.)”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të detajuar, “në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari”, vijon njoftimi.
Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës, thuhet në njoftim.
Pamje:


