Puna me rreziqe të mëdha dhe kushte të vështira pune, i bën zjarrfikësit gjatë ndërhyrjeve të tyre emergjente të vendosin veten e tyre në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët.
Në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, është organizuar një aktivitet demonstrues në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ku janë paraqitur disa skenarë të kërkim-shpëtimit, përfshirë zjarrfikës dhe automjete për ndërhyrje në ndërtesa, shuarje zjarri dhe evakuim të viktimave, raporton KosovaPress.
U.d. i drejtorit ekzekutiv në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Shefki Avdullahu, tha se kjo ditë nuk është vetëm simbolike, por një moment për të vlerësuar një nga profesionet më të vështira dhe më fisnike.
“Kur dëgjojmë sirenën e një kamioni të zjarrfikësve, për shumicën prej nesh bie alarmi, ndërsa për ju është thirrja për detyrë, kështu duke vendosur veten në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët. Të jesh zjarrfikës nuk do të thotë vetëm të shuash zjarre, por të jesh i pari në aksidente rrugore, i pari në përmbytje dhe i pari që ofron ndihmë në momentet më të rënda të një qytetari”- tha Avdullahu
Drejtoresha për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fitore Mehmeti Behrami, vlerësoi angazhimin e zjarrfikësve, duke e cilësuar punën e tyre si mision.
“Këto thirrje emergjente, në çdo situatë të vështirë, ju jeni bashkë me ne. Puna juaj nuk është vetëm profesion, është edhe një mision. Çdo ditë përballeni me rreziqe të mëdha duke rrezikuar jetën tuaj për të shpëtuar të tjerët. Kjo kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe zemër të madhe dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Ky aktivitet që po mbahet sot në qytetin tonë është një mundësi që qytetarët të njohin më afër punën dhe sakrificat tuaja” – tha Mehmeti Behrami.
Nga ana tjetër, zjarrfikësi Sabri Abazi theksoi sfidat e përditshme me të cilat përballen në terren.
“Çdo ditë përballemi me sfida të vështira, por ajo që na mban të palëkundur është misioni ynë i përbashkët: mbrojtja e jetës së çdo qytetari. Në këtë ditë të veçantë dëshirojmë të shprehim një falënderim të sinqertë për të gjithë punëtorët tanë, institucionet, organizatat dhe individët që qëndrojnë pranë nesh”- tha Abazi
Dronisti Albion Hajredini bëri të ditur se gjatë demonstrimit janë përdorur disa lloje dronësh me kapacitete të avancuara.
Ky aktivitet në Mitrovicë shërbeu jo vetëm si demonstrim praktik i kapaciteteve të zjarrfikësve dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit, por edhe si një mesazh për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimit të teknologjisë në menaxhimin e emergjencave. Përmes këtyre skenarëve, qytetarët patën mundësi të shohin nga afër përkushtimin, rrezikun dhe profesionalizmin që qëndron pas çdo ndërhyrjeje në shërbim të jetës dhe sigurisë publike.