Akuzat dhe kundërakuzat për projektin energjetik të MEPSO vazhdojnë edhe sot, me përplasje të ashpra mes Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit VLEN. BDI ka ngritur shqetësime serioze për mungesë transparence, duke akuzuar zyrtarin Burim Latifi se nuk ka dhënë sqarime lidhur me një dëm të pretenduar prej rreth 6 milionë eurosh ndaj shtetit. Sipas tyre, qytetarët meritojnë përgjigje për arsyet e ndërprerjes së kontratës me kompaninë e parë dhe përzgjedhjen e një kompanie të re nga Banja Luka, për të cilën janë ngritur dyshime për lidhje me qarqe politike të afërta me Milorad Dodik, transmeton Portalb.mk.
BDI kërkon gjithashtu hetim nga institucionet përkatëse, duke theksuar se vendimi i organeve për zgjidhjen e kontesteve ka shkaktuar pasoja financiare të konsiderueshme.
“Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron krejtësisht të papërgjegjshme heshtjen e vazhdueshme të Burim Latifit, i cili edhe pas tre ditësh nuk ka dhënë asnjë sqarim për opinionin lidhur me dëmin prej rreth 6 milionë eurosh që i ka shkaktuar shtetit. Është e papranueshme që në një çështje kaq serioze, që lidhet me menaxhimin e mjeteve publike dhe përgjegjësinë institucionale, të mungojë transparenca dhe llogaridhënia. Opinioni publik ka të drejtë të dijë pse është ndërprerë kontrata me kompaninë e parë dhe cilat kanë qenë arsyet reale për një vendim të tillë. Po ashtu, kërkojmë përgjigje të qarta se pse për të njëjtën çështje është lidhur kontratë me një kompani tjetër nga Banja Luka, për të cilën në publik ekzistojnë dyshime për afërsi me struktura politike nga Republika Serpska dhe Millorad Dodikun. Nëse këto pretendime janë të sakta, atëherë lindin dilema serioze për procesin e përzgjedhjes dhe për interesin publik që është ndjekur. Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi i organeve për zgjidhjen e kontesteve (DAB) ka rezultuar me një dëm financiar për shtetin në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh. Kjo e bën edhe më urgjente nevojën që përgjegjësit të dalin para qytetarëve dhe të japin sqarime të plota”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, VLEN i ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se vetë përfaqësues të BDI-së kanë qenë ata që kanë iniciuar ndërprerjen e kontratës me kompaninë Energoinvest.
Sipas VLEN-it, procesi ka nisur në periudhën kur funksionarë të BDI-së mbanin pozita kyçe në MEPSO, përfshirë Bilen Saliji dhe ish-drejtorin Kushtrim Ramadani. Ata pretendojnë se projekti ka pasur realizim minimal prej vetëm 4% për pesë vite dhe se kontrata ka qenë jofunksionale.
“BDI sot mbron një projekt për të cilin edhe drejtorët e saj në MEPSO kanë qenë të mendimit se duhet të ndërpritet. Dikush në BDI sot ka interes të madh të mbrojë një projekt që për pesë vite ka pasur realizim vetëm 4%, ndërsa i ka kushtuar shtetit shuma të mëdha parash. Të rikujtojmë: iniciativa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest” nuk është e sotme dhe as vendim personal i dikujt. Ajo buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, në kohën kur drejtor i sektorit juridik ishte Bilen Saliji, ish-ministër i drejtësisë nga radhët e BDI-së. Pra, një kuadër i BDI-së e ka nisur procedurën për ndërprerje, sepse edhe vetë kanë konstatuar se kontrata është jofunksionale dhe u kushton shumë qytetarëve. Të njëjtin qëndrim e konfirmon edhe ish-drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, gjithashtu kuadër i BDI-së, i cili publikisht ka deklaruar se do ta ndërpriste kontratën. Fjalët e tij janë të qarta: nuk ka pasur aktivitete në terren, nuk ka pasur bazë për rritje çmimi, kontrata ka qenë fikse, ndërsa kompania praktikisht nuk ka funksionuar. Këto nuk janë qëndrime të VLEN-it, këto janë qëndrime të njerëzve nga BDI. Faktet janë të pakontestueshme. Projekti ka pasur realizim vetëm rreth 4% në një periudhë pesëvjeçare. Kontrata ka qenë e skaduar. Me vite nuk ka pasur aktivitete ndërtimore, por vetëm përpjekje për kërkesa shtesë financiare në kundërshtim me kontratën. Në të njëjtën kohë, shteti ka paguar interese për kredi që nga viti 2015, ndërsa projekti qëndronte në vend”, thonë nga VLEN.
Koalicioni thekson se vendimi për ndërprerje është bazuar në analiza të detajuara dhe në përputhje me standardet e European Bank for Reconstruction and Development dhe një projekti të mbështetur nga USAID.
Paraprakisht në shtator të vitit të kaluar, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), kryesuese e së cilës ishte BDI, ngriti shqetësime për sigurinë energjetike të Maqedonisë, duke akuzuar drejtorin e MEPSO-s, Burim Latifi, për nënshkrimin e kontratave me kompani serbe, përfshirë “IMP-Telekomunikacije DOO Beograd” dhe “Siemens DOO Beograd”, për projekte strategjike. AKI pretendonte se zgjedhja e këtyre firmave mund të krijojë konflikt interesi për shkak të lidhjeve familjare me kandidatin e VLEN-it, Izet Mexhiti, dhe kërkon hetim nga institucionet përkatëse. Sipas AKI-t, vendosja e këtyre kontratave mund të rrezikojë stabilitetin energjetik dhe të favorizojë ndikime të huaja, duke nënvizuar se ekzistojnë kompani lokale të afta për këto shërbime.
tag_katrorimaqedoni_2