Rrëfimi tronditës i Emmanuel Eboue: Nga milionat te humbja e gjithçkaje - Gazeta Express
string(70) "rrefimi-trondites-i-emmanuel-eboue-nga-milionat-te-humbja-e-gjithckaje"

Futboll

Gazeta Express

02/05/2026 11:41

Rrëfimi tronditës i Emmanuel Eboue: Nga milionat te humbja e gjithçkaje

Futboll

Gazeta Express

02/05/2026 11:41

Emri i Emmanuel Eboue ngjall menjëherë dashuri dhe ngrohtësi te tifozët e Arsenal.

Mbrojtësi i djathtë nga Bregu i Fildishtë kaloi nga një figurë që shpeshherë tallej në një hero kult për “Topçinjtë”, duke zhvilluar mbi 200 paraqitje me klubin londinez.

Eboue, tashmë 42 vjeç, kishte fituar rreth 20 milionë paund gjatë karrierës së tij dhe ishte një histori suksesi frymëzuese, veçanërisht për njerëzit në vendlindjen e tij.

Por ato ditë të arta në majat e futbollit u kthyen më vonë në një makth, pasi jeta e tij jashtë fushës u shkatërrua, duke e lënë pa asgjë.

Problemet nisën në vitin 2016, kur ai u shkarkua nga Sunderland pasi u pezullua për 12 muaj nga FIFA për një borxh të papaguar ndaj ish-agjentit të tij, Sébastien Boisseau.

Atij iu kërkua të paguante 790 mijë paund ndaj ish-përfaqësuesit të tij, por ai refuzoi. Rasti kishte zgjatur për katër vite në prapaskenë, por vendimi erdhi si surprizë për Federatën angleze dhe Sunderlandin.

Në atë kohë, trajneri i zemëruar i Sunderlandit, Sam Allardyce, deklaroi:
“Pse e shkarkuam? Ai nuk mund të vijë në stërvitje, nuk mund të jetë as në stadium dhe nuk mund të hyjë nga portat hyrëse.
Është një situatë e plotë. Ai është i mërzitur, por duhet të marrë përgjegjësi sepse nuk ka komunikuar me njerëzit që po përpiqeshin ta zgjidhnin këtë çështje prej vitesh.”

Allardyce paralajmëroi se kjo situatë mund t’i jepte fund karrierës së tij – dhe ashtu ndodhi. Por kjo ishte vetëm fillimi i problemeve të Eboue.

Ai beson se kjo çështje çoi në një divorc të ashpër me ish-bashkëshorten e tij Aurelie, me të cilën ka tre fëmijë.

Duke folur në një podcast, Eboue tregoi:
“Ata donin që t’u jepja 1 milion euro, por unë preferova të ndaloja futbollin sesa t’u jepja atë shumë. Ish-agjenti im shkoi te FIFA dhe ata më pezulluan për një vit. U ktheva në Turqi për t’u fshehur, sepse nuk doja që njerëzit ta dinin që nuk kisha klub – dhe aty filloi divorci.”

Ai pranoi se humbi gjithçka:
“Humba shumë. Shumë. Nuk dua të them sa, por ishte shumë. Humbja gjithçka në Angli – shtëpitë, makinat dhe paratë.”

Kjo krizë personale dhe financiare ndikoi rëndë edhe në gjendjen e tij mendore. Ai madje mbuloi dritaret e shtëpisë për t’u fshehur nga mediat dhe tha se kishte arritur në një pikë ku nuk mund të hante.

“Isha shumë keq. Mediat e dinin ku jetoja, kështu që mbulova dritaret me kartonë që të mos më fotografonin. Nuk haja fare,” rrëfeu ai.

Një nga aspektet më të dhimbshme të historisë së tij është marrëdhënia e prishur me djalin e tij 17-vjeçar, Mathis, një talent premtues te Chelsea.

Eboue zbuloi se nuk kanë komunikuar prej rreth pesë vitesh dhe se nuk e kishte ditur fare për transferimin e tij te Chelsea.

“Më dhemb shumë sepse është djali im. Nuk isha aty kur nënshkroi. Jam i lumtur për të, por brenda meje qaj sepse dua të jem pranë tij dhe ta ndihmoj,” tha ai.

Megjithatë, Eboue ka arritur të dalë nga periudha më e errët e jetës së tij. Tani ai jeton një jetë të re me bashkëshorten e tij Stephanie dhe punon si trajner për të rinjtë në Bregun e Fildishtë.

Ai ndan përvojat e tij me ta për t’i paralajmëruar:
“U tregoj çfarë më ndodhi që të mos bëjnë të njëjtat gabime. Duhet të jenë të fokusuar dhe të bëjnë zgjedhje të mira në jetë.”

Aktualisht, ai bashkëpunon edhe me Konfederatën Afrikane të Futbollit dhe shpreson që një ditë të ketë rol te ish-klubet e tij, Arsenali ose Galatasaray.

Eboue u transferua te Arsenali në vitin 2004 nga trajneri legjendar Arsene Wenger dhe ishte pjesë e ekipit që humbi finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelona.

Në vitin 2011, pas shtatë vitesh në Londër, ai u transferua te Galatasaray për 3 milionë paund, ku zhvilloi 77 paraqitje, përpara se karriera e tij të përfundonte në mënyrë të hidhur te Sunderland, pa luajtur asnjë ndeshje.

Advertisement
Advertisement
Advertisement