Psikologia Eva Sinanaj ka ndarë analizën e saj mbi dinamikat dhe personazhet e “Big Brother VIP Albania”, duke u ndalur veçanërisht te krahasimi mes Selin dhe Brikenës.
E ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ajo theksoi se dy figurat kishin qasje të ndryshme në mënyrën si përcillnin mesazhet dhe prezantonin veten para publikut.
Sipas saj, Selin karakterizohej nga një komunikim më natyral dhe i drejtpërdrejtë, ku qëndrimet dhe mesazhet i vinin spontanisht, pa u përpjekur t’i impononte ato.
Në të kundërt, Sinanaj vuri në dukje se Brikena shpesh i referohej dimensionit moral në deklaratat e saj, gjë që mund të jetë perceptuar si një strategji për të fituar pëlqimin e publikut.
Ajo shtoi se kjo qasje krijonte një kontradiktë mes asaj që thuhej dhe mënyrës si përfaqësohej në ekran.
Sipas psikologes, për një figurë publike është e rëndësishme që mendimi dhe sjellja të jenë në përputhje, pasi kjo rrit besueshmërinë dhe qartësinë e mesazhit që përcillet te audienca. /GazetaExpress/