Prokuroria në Ferizaj, ka njoftuar se janë ndaluar tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në njoftim bëhet e ditur se ndaj tre personave, kanë nisur hetimet, dhe se ata janë ndaluar si të dyshuar për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë”, “Falsifikimi i dokumenteve” , dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, përcjell Gazeta Express.
‘’ Sa i përket procedurës së mbrojtjes, dy të pandehurit në këtë rast nuk kanë autorizuar avokat dhe me urdhër verbal të prokurorit është autorizuar shefi i hetimeve të NJHKEK- në Ferizaj, që të njoftoj Odën e Avokatëve të Kosovës, për dërgimin e dy avokatëve sipas detyrës zyrtare si mbrojtës të të pandehurve në këtë rast’’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Komunikata:
Ndalohen tre persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Ferizaj, 28 Prill 2026- Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre (3) personave dhe në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj- është zbatuar një urdhër kontroll në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve në këtë rast, të cilët më pas janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”nga neni 395 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sa i përket procedurës së mbrojtjes, dy të pandehurit në këtë rast nuk kanë autorizuar avokat dhe me urdhër verbal të prokurorit është autorizuar shefi i hetimeve të NJHKEK- në Ferizaj, që të njoftoj Odën e Avokatëve të Kosovës, për dërgimin e dy avokatëve sipas detyrës zyrtare si mbrojtës të të pandehurve në këtë rast.
Zyra koordinuese në Odën e Avokatëve të Kosovës në Prishtinë- fillimisht ka kërkuar emrat e të pandehurve dhe veprat penale për cilat dyshohen e pastaj të dërgojnë avokatët mbrojtës sipas detyrës zyrtare.
Lidhur me këtë çështje, Prokurori i Shtetit, ka njoftuar të njëjtit për pasojat lidhur me mos zbatimin e kërkesës nga Policia dhe Prokuroria sepse këto paraqesin pengesa në zbatimin e procedurës hetimore.