Pornografia në adoleshencë shpesh hyn si një dritare e hapur pa paralajmërim, një imazh që premton njohje, por që rrallëherë sjell kuptim të vërtetë.
Për një mendje të re, ende në ndërtim, këto pamje mund të bëhen një lloj pasqyre e shtrembëruar, ku realiteti dhe fantazia përzihen pa kufij të qartë. Në këtë moshë, kur zemra dhe mendja kërkojnë të kuptojnë veten dhe tjetrin, pornografia shpesh ofron përgjigje të thjeshta për pyetje të thella.
Ajo mund të ndikojë në mënyrën si adoleshentët e perceptojnë trupin, marrëdhëniet dhe dashurinë, duke krijuar pritshmëri të paarritshme dhe shpesh të padrejta, shkruan Klankosova.tv.
Megjithatë, në mes të kësaj mjegulle vizuale, ekziston gjithmonë mundësia për vetëdije.
Endokrinologu Mentor Spahiu, në një intervistë për Klankosova.tv, ka folur për ndikimin e pornografisë te të rinjtë. Ai ka theksuar se ekspozimi ndaj përmbajtjeve të tilla ndikon edhe në mënyrën se si adoleshentët e kuptojnë pëlqimin dhe respektin në marrëdhënie.
Çfarë është pornografia dhe pse është kaq e aksesueshme për adoleshentët sot?
Spahiu: Pornografia është çdo material vizual, audio apo tekst që ka për qëllim të stimulojë seksualisht përmes paraqitjes eksplicite të akteve intime. Sot, qasja ne pornografi është rritur për shkak të internetit, ku përmbajtja shpesh është vetëm një klikim larg. Pamundësia e kontrollit efektiv prindëror në këto mjete si dhe mundësia qe ato japin përmes algoritmeve të ndryshme që sugjerojnë përmbajtje te tilla si dhe kurioziteti natyror i adoleshentëve e bëjnë ekspozimin pothuajse të pashmangshëm dhe të lehtë.
Si ndikon pornografia në zhvillimin emocional të adoleshentëve?
Spahiu: Adoleshenca është periudhë kyçe për formimin e identitetit emocional dhe seksual. Ekspozimi i hershëm ndaj pornografisë mund të ndikojë në mënyrën si të rinjtë e kuptojnë intimitetin, lidhjen emocionale dhe marrëdhëniet në çift. Në vend që seksualiteti të perceptohet si një përvojë e ndërlidhur me ndjenja, respekt dhe komunikim, pornografia shpesh e paraqet atë si një akt mekanik dhe pa dimension emocional. Kjo mund të çojë në konfuzion, pritshmëri të shtrembëruara dhe vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve autentike.
A mund të krijojë ajo pritshmëri joreale për marrëdhëniet dhe trupin?
Spahiu: Po, në mënyrë të konsiderueshme. Pornografia shpesh paraqet trupa të idealizuar, performancë seksuale të ekzagjeruar dhe jo reale. Kjo mund të krijojë presion tek adoleshentët për të përmbushur standarde të paarritshme, duke ulur vetëbesimin për imazh trupor dhe pritshmëri ndaj partnerëve. Në praktikën andrologjike, kjo lidhet edhe me rritjen e shqetësimeve si ankthi i performancës dhe pakënaqësia seksuale në moshë të re, domethënë në disfunksion rektim në moshë të re.
A ka lidhje mes konsumimit të pornografisë dhe rritjes së ankthit apo stresit kronik?
Spahiu: Studimet sugjerojnë se konsumimi i shpeshtë dhe i pakontrolluar mund të lidhet me rritje të ankthit, stresit dhe madje simptomave depresive, veçanërisht kur shoqërohet me ndjenjë faji dhe izolimi. Mekanizmat përfshijnë ndikimin në sistemin e shpërblimit në tru (dopaminën), që mund të çojë në nevojë për stimulim të vazhdueshëm dhe ulje të kënaqësisë nga përvojat reale. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ndikimi është individual.
A mund të ndikojë ajo në mënyrën si ata e kuptojnë pëlqimin dhe respektin?
Spahiu: Po, dhe kjo është një shqetësim serioz. Pornografia nuk pasqyron komunikimin real, kufijtë personalë dhe konceptin e pëlqimit (të jepet pëlqim). Në mungesë të edukimit seksual të duhur, adoleshentët mund të zhvillojnë ide të pasakta rreth roleve gjinore, pritëshmërive në marrëdhënie dhe respektit ndaj partnerit. Kjo potencon nevojën për edukim gjithëpërfshirës seksual që promovon komunikimin, respektin dhe pëlqimin e ndërsjellë si baza të çdo marrëdhënieje të shëndetshme.
Për fund, pornografia nuk është thjesht një çështje morale, por një fenomen me implikime të rëndësishme zhvillimore, psikologjike dhe sociale. Roli i familjes, shkollës dhe profesionistëve shëndetësorë është thelbësor për të orientuar të rinjtë drejt një kuptimi të shëndetshëm të seksualitetit.
Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka shifra të sakta globale se sa adoleshentë përdorin pornografi apo sa janë të varur, por ajo njeh vetëm në mënyrë të përgjithshme çrregullimin ICD-11 si sjellje seksuale kompulsive, që mund të përfshijë edhe pornografinë.
Studimet tregojnë se shumica e adoleshentëve (sidomos djemtë) e kanë përdorur të paktën njëherë, ndërkaq rreth 3%-10% mund të kenë përdorim problematik (varësi). /klankosova.