Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se ka marrë një mesazh javën e kaluar nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili prej javësh nuk është shfaqur në publik. Deklarata u bë gjatë një takimi në Shën Petersburg me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Sipas Kremlinit, Putin kërkoi që t’i përcillen Khameneit falënderimet për mesazhin dhe urimet për shëndet.
“Ne shohim se sa me guxim dhe heroikisht po lufton populli iranian për pavarësinë dhe sovranitetin e tij”, u shpreh Putin, duke shtuar se Rusia do të bëjë gjithçka për të ndihmuar në arritjen e paqes në rajon. Nga ana e tij, Araghchi theksoi se Irani vlerëson mbështetjen ruse për diplomacinë dhe nënvizoi “thellësinë dhe stabilitetin” e marrëdhënieve mes dy vendeve, në një kohë kur rajoni po përballet me tensione të mëdha.
Megjithatë, mungesa e gjatë në publik e Mojtaba Khamenei ka shtuar spekulimet mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe rolin real në drejtimin e vendit. Sipas raportimeve mediatike, ai mund të ketë pësuar lëndime gjatë një vale sulmesh të mëparshme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë indikacione që Khamenei është ende gjallë, por ngriti dyshime mbi ndikimin e tij real në pushtet. Ndërkohë, raportime të tjera sugjerojnë se lideri iranian vijon të marrë pjesë në vendimmarrje përmes komunikimeve në distancë me zyrtarët e lartë, përfshirë çështje kyçe si konflikti në rajon dhe negociatat e mundshme me Uashingtonin.
Zhvillimet vijnë në një moment kritik, ndërsa tensionet mes Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Irani mbeten të larta dhe përpjekjet diplomatike për uljen e tyre vijojnë.