E ardhmja e Robert Lewandowskit vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në tregun e futbollit dhe tashmë edhe zërat nga ish-lojtarë të mëdhenj po shtohen.
Ish-sulmuesi i njohur italian, Christian Vieri, e ka dhënë mendimin e tij për të ardhmen e polakut, duke analizuar se cili klub do të ishte më i përshtatshëm për të në Serie A.
Sipas Vierit, Lewandowski do të përshtatej më mirë te Juventusi sesa te Milani.
Ai beson se profili i sulmuesit dhe karakteristikat e tij lidhen më shumë me stilin e lojës së bardhezinjve.
Në analizën e tij, Vieri thekson se Juventusi është një skuadër që historikisht ndërtohet rreth një “numri 9” klasik, një rol që Lewandowski e zotëron në mënyrë perfekte, përcjell “Gazeta Express”.
Përvoja, instinkti për gol dhe aftësia për të qenë vendimtar në zonë e bëjnë atë një përshtatje ideale për ekipin nga Torino.
Nga ana tjetër, ai vlerëson se Milani e ka një stil loje më dinamik dhe më të shpërndarë në fazën sulmuese, ku përgjegjësitë nuk bien vetëm mbi një sulmues të vetëm, çka mund të mos jetë skenari ideal për një lojtar me karakteristikat e Lewandowskit.
Deklarata e Vierit vjen në një moment kur e ardhmja e sulmuesit polak te Barcelona mbetet e paqartë.
Kontrata e tij është drejt fundit dhe disa klube, përfshirë Juventusin dhe Milanin, po e monitorojnë nga afër situatën e tij.
Në këtë kontekst, Serie A mund të jetë destinacioni i radhës për njërin nga sulmuesit më të mirë të epokës moderne, ndërsa opinione si ai i Vierit vetëm sa e shtojnë interesin rreth vendimit final që pritet në muajt e ardhshëm. /Gazeta Express