Kim Jong Un inauguron memorialin për ushtarët koreano-veriorë të vrarë në luftën në Ukrainë, luftuan krah Rusisë - Gazeta Express
string(111) "kim-jong-un-inauguron-memorialin-per-ushtaret-koreano-veriore-te-vrare-ne-luften-ne-ukraine-luftuan-krah-rusise"

Lajme

Gazeta Express

27/04/2026 12:47

Kim Jong Un inauguron memorialin për ushtarët koreano-veriorë të vrarë në luftën në Ukrainë, luftuan krah Rusisë

Lajme

Gazeta Express

27/04/2026 12:47

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov, kanë inauguruar në Pyongyang një memorial kushtuar shtetasve të Koresë së Veriut që kanë humbur jetën gjatë luftimeve në luftën në Ukrainë.

Gjatë ceremonisë, avionë ushtarakë fluturuan mbi kryeqytet, ndërsa në ajër u lëshuan balona të bardha. Kim dhe Belousov zbuluan një statujë dhe hapën gjithashtu një muze memorial.

Nuk dihet numri i saktë i ushtarëve të Koresë së Veriut që po marrin pjesë në luftë në krah të Rusisë, por sipas vlerësimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut, të paktën 15 mijë ushtarë janë dërguar për të ndihmuar forcat ruse në rimarrjen e zonave në rajonin e Kurskut, në perëndim të Rusisë.

Seuli vlerëson gjithashtu se rreth 2 mijë ushtarë koreano-veriorë kanë humbur jetën në konflikt. As Pheniani dhe as Moska nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për humbjet.

Në këmbim të mbështetjes ushtarake, besohet se Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia ndihmë në ushqime, fonde dhe asistencë teknike.

Hapja e Muzeut Memorial të “Sukseseve Luftarake në Operacionet Ushtarake Jashtë Vendit” u zhvillua të dielën dhe përkoi me përvjetorin që Rusia e ka cilësuar si rikthimin e plotë të kontrollit në pjesë të rajonit të Kurskut.

Ukraina kishte ndërmarrë një inkursion të papritur në Kursk në gusht 2024, ndërsa Rusia deklaroi se e kishte rimarrë kontrollin e plotë një vit më vonë.

Kim Jong Un i siguroi Belousovit se Koreja e Veriut “do të vazhdojë të mbështesë plotësisht politikën e Federatës Ruse për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe interesave të sigurisë”, sipas mediave shtetërore. Nga ana e tij, Belousov deklaroi se me zyrtarët koreano-veriorë ka diskutuar bashkëpunimin ushtarak afatgjatë, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Përveç Belousovit, Kim u takua edhe me kryetarin e parlamentit rus, Vyacheslav Volodin, një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin.

Gjatë një takimi në Pekin në shtatorin e kaluar, në kuadër të një parade ushtarake kineze ku të dy liderët ishin të ftuar, Putin e falënderoi Kim-in për mbështetjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, duke deklaruar se “ushtarët tuaj kanë luftuar me guxim dhe heroizëm”.

Në qershor të vitit 2024, Putin dhe Kim nënshkruan një marrëveshje që parashikon ndihmë reciproke në rast “agresioni” ndaj njërës prej dy vendeve. Në atë kohë, Kim e cilësoi marrëveshjen si “më të fortën ndonjëherë”.

Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut ka premtuar gjithashtu dërgimin e mijëra punëtorëve për rindërtimin e rajonit të Kurskut.

Advertisement
Advertisement
Advertisement