Emisioni hulumtues me titull “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, zbuloi një proces të dyshimtë të ndryshimit të kufijve të disa parcelave, përfshirë edhe pronën publike në Viti.
Bashkimi i pronës publike në rrugën “UÇK” në këtë komunë, me atë private i ka hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi shumëkatësh, që tashmë është realizuar nga Nexhmedin Haliti, vëllai i kryetarit të komunës, Sokol Haliti.
Betimi për Drejtësi, ka kërkuar intervistë nga kryetari Sokol Haliti dhe të gjithë akterët e tjerë për këtë çështje, por kërkesa nuk u aprovua.
Po ashtu, kryetari Haliti nuk i’u është përgjigjur as telefonatave dhe as nuk ka qenë në zyrë kur ekipi ka tentuar që të marrë një version të tij lidhur me këtë rast, i cili është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndërsa, në një përgjigje përmes emailit kryetari Haliti, ka thënë se vendimi është në përputhje me legjislacionin dhe se nuk ka pasur ndikime politike apo personale.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju informojmë se bëhet fjalë për një vendim administrativ për ri-rregullimin e kufirit të një parcele, i cili është trajtuar në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi nga organet kompetente të Komunës së Vitisë. Theksojmë se përkundër faktit që pala përfituese në këtë rast ka lidhje familjare me kryetarin e komunës, vendimmarrja është bazuar në dokumentacion zyrtar dhe në vlerësim profesional nga drejtoritë përkatëse, pa ndikime politike apo personale”, ka thënë Haliti.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, zyrtare ligjore në Komunën e Vitisë, e cila ishte autorizuar nga kryetari për ndërmarrjen e veprimeve juridike, tha se ka qenë e autorizuar vetëm për inicim të lëndës.
“Unë personalisht nuk kam çka me thënë, sinqerisht. Mundesh me bë intervistë me drejtoreshën e Kadastrit, aty komplet është kry lënda, e kanë ata ekipin profesionale. Unë se kom bo as edhe një veprim”, tha Haxhiu.
Zyrtarja ligjore, u shpreh se ligjshmëria në këtë rast do të shqyrtohet nga organet e drejtësisë
“Unë s’kam ndërmarrë kurgjë. E kam thënë edhe në Prokurori Speciale që nuk kam ndërmarrë asnjë veprim. Kështu që, ata kanë mbetë me shqyrtu ligjshmërinë edhe me dhënë domethënë a kemi gabu, a s’kemi gabu”, u shpreh Haxhiu.
Bazuar në dokumente Haxhiu ishte autorizuar për ndërmarrjen e veprimeve nga kryetari Sokol Haliti.
Por, ajo thotë se autorizimi është bërë nga nënkryetari.
“Gazetarja: A e keni shqyrtu të paktën me kryetarin ose a e keni bisedu me kryetarin paraprakisht, para se me ju autorizu kryetari juve?
Haxhiu: Kryetari nuk më ka autorizu, më ka autorizu nënkryetari…
Gazetarja: Jo, sipas vendimit që e kemi ne, këtu është nënshkrimi i kryetarit edhe figuron emri i kryetarit
Haxhiu: Figuron emri i kryetarit, mirëpo aty është “për”. “Për” është zakonisht, se kryetari s’ka qenë hiç këtu, nënkryetari e ka nënshkru zonjë.”.
Tutje zyrtarja Haxhiu, theksoi se për këtë rast ka dhënë intervistë në Prokurorinë Speciale dhe sipas saj bazën ligjore që ka pasur e ka dhënë në këtë institucion.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, T7dhe Gazeta Express