Ministrja e Kulturës në Berlin, Sarah Wedl-Wilson, ka dhënë dorëheqjen për shkak të një skandali financimi që lidhet me shpërndarjen e parregullt të 2.6 milionë eurove fonde publike për programe kundër antisemitizmit.
Si senatore e kulturës për qeverinë rajonale të Berlinit, britanikja Wedl-Wilson kishte shkarkuar tashmë këtë javë një sekretar shteti në departamentin e saj, Oliver Friederici, për këtë çështje, por opozita e quajti atë thjesht një “kokë turku”.
Kryetari i qytetit, Kai Wegner, i cili po zhvillon një betejë të fortë për rizgjedhje në shtator, tha të premten se e kishte pranuar dorëheqjen e saj.
“Sarah Wedl-Wilson ka marrë përgjegjësi politike dhe personale – për këtë ajo meriton respekt,” tha Wegner, i cili tani duhet të gjejë një zëvendësues për të menaxhuar departamentin me një buxhet vjetor prej 110 milionë eurosh për pesë muajt e mbetur të mandatit të tij.
Wedl-Wilson, e cila për javë të tëra kishte rezistuar të pranonte fajin në këtë çështje, më herët të premten deklaroi se po largohej nga detyra “mbi të gjitha për të parandaluar dëmtimin e luftës jetike kundër rritjes së antisemitizmit në Berlin”.
Një hetim i auditorit shtetëror, i publikuar këtë javë, zbuloi se fondet ishin shpërndarë “në mënyrë arbitrare” dhe “qartësisht në kundërshtim me ligjin” për 13 projekte në një listë të përpiluar nga ligjvënës të partisë bashkëqeverisëse Demokristiane (CDU), pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga stafi i zyrës së kulturës se grupet nuk ishin verifikuar siç duhet.
Raportet mediatike thanë se Friederici, të cilin Wedl-Wilson e shkarkoi të martën, ishte ndër sinjalizuesit më të zëshëm.
Wedl-Wilson, e cila nuk i përket asnjë partie politike, megjithatë e miratoi financimin, pas një fushate presioni nga përfaqësues të CDU-së.
Hetimi publik u përqendrua te përfituesit, përfshirë Institutin Zera, një “think tank ndërdisiplinor”, i cili mori 390,000 euro nga fondet publike.