Komuniteti mjekësor është pasuruar sot me dy arritje të jashtëzakonshme akademike.
Brenda vetëm dy ditësh, në Universitetin “Semmelweis” të Budapestit, dy motra nga Mitrovica mbrojtën me sukses tezat e tyre të doktoraturës.
Dr. Fjolla Zhubi Bakija mbrojti doktoraturën në lëminë e Kardiologjisë, ndërsa Dr. Esra Zhubi në lëminë e Neurologjisë, duke shënuar kështu një kapitull të ri në karrierat e tyre profesionale.
Ky sukses është vazhdimësi e një tradite të shkëlqyer familjare dhe profesionale.
Ato janë bijat e infektologes së njohur në Mitrovicë, Dr. Luljeta Buçinca-Zhubi.
Arritjet e tyre në një nga universitetet më prestigjioze të mjekësisë në Evropë janë një krenari jo vetëm për familjen Zhubi, por për Kosovën dhe qytetin e Mitrovicës.
Ky është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe shkencës që lartëson emrin e mjekësisë kosovare në arenën ndërkombëtare.

