Një përplasje trenash në Danimarkë ka lënë të paktën katër persona në gjendje kritike pasi dy trena u përplasën në linjën hekurudhore Gribskov në Zelandën Veriore.
Siç raportoi transmetuesi danez DR, aksidenti ndodhi pranë Kagerupit herët në mëngjes, kur trenat u përplasën ballë për ballë. Policia tha se shërbimet e emergjencës u dërguan menjëherë në vendngjarje, ku operacionet e shpëtimit po vazhdojnë ende, me të paktën 60 ekipe ndërhyrjeje të përfshira.
Autoritetet rajonale shëndetësore thanë se të paktën katër persona janë në gjendje kritike ndërsa të tjerë kanë pësuar lëndime. “Të gjithë të plagosurit janë transportuar nga vendi i aksidentit me ambulanca dhe një helikopter”, tha Shërbimi i Emergjencës i Kryeqytetit në një postim në rrjetin social amerikan X.
“Pasagjerët që nuk janë të lënduar fizikisht janë mbledhur në një pikë grumbullimi”, shtoi ai.
Kryetarja e bashkisë Gribskov, Trine Egetved tha se disa nga të plagosurit janë transportuar me helikopter drejt spitalit “Rigshospitalet”.
“Jam thellësisht e tronditur dhe e shokuar dhe po mendoj për të gjithë të përfshirët”, tha ajo në rrjetet sociale. Egetved theksoi se kjo linjë hekurudhore përdoret gjerësisht nga banorët lokal, punëtorët dhe nxënësit, duke shtuar se autoritetet po punojnë për të mbështetur të prekurit.
Policia tha se ka një pasqyrë të situatës, por operacionet e shpëtimit vazhdojnë ndërsa autoritetet përpiqen të përcaktojnë shkakun e përplasjes../atsh/