Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ka zhvilluar një takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Nils Schmid.
Në fokus të takimit ishte avancimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. U vlerësua gjithashtu roli i Gjermanisë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Palët diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe realizimin e programeve të përbashkëta të trajnimit.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik, zhvillimin sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin për paqe e stabilitet në rajon.
“Shpreha mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme dhe rolin konstruktiv të Gjermanisë, duke ritheksuar përkushtimin tonë për forcimin e partneritetit strategjik, zhvillimin sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.