Arsenali mbetet ende favorit i madh për të fituar titullin e Premierligës, pavarësisht humbjes ndaj Manchester City.
Ekspertët e statistikave “Opta” kanë rishikuar parashikimet e tyre pas fitores 2-1 të Cityt të dielën – dhe ato janë ende lajme pozitive për tifozët e Arsenalit.
Goli i Erling Haaland në “Etihad Stadium” e ngushtoi diferencën në krye të tabelës në vetëm tre pikë, me City që mund të kalojë në vend të parë nëse mposht Burnleyn të mërkurën.
Arsenali ka humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe po kalon një periudhë të vështirë në momentin vendimtar të sezonit, duke kërkuar titullin e parë të Premierligës pas 22 vitesh.
Në javët e fundit, skuadra e Mikel Artetës ka humbur finalen e Carabao Cup ndaj Cityt, është eliminuar nga FA Cup nga Southampton (skuadër e Championshipit) dhe ka pësuar dy humbje radhazi në kampionat.
Megjithatë, Arsenali ende mban një avantazh prej tre pikësh ndaj Cityt dhe do të kërkojë rikthimin në formë kur pret Newcastle të shtunën.
Arteta ka bërë thirrje për qetësi pas humbjes së së dielës, ndërsa statistikat e “Optas” e mbështesin bindjen e tij se ekipi ende mund ta fitojë titullin.
Para ndeshjes, Arsenali kishte 85.2% shanse për titull, dhe pas humbjes kjo shifër ka rënë vetëm në 73%, ndërsa City është rritur nga 14.8% në 27%.
Të dy ekipet kanë ende angazhime në gara të tjera: Arsenali përballet me Atlético Madrid në gjysmëfinalen e Championsit, ndërsa City luan ndaj Southamptonit në gjysmëfinalen e FA Cup.
Sipas “Optas”, Arsenali ka një avantazh të dukshëm për shkak të vështirësisë më të ulët të ndeshjeve të mbetura në ligë.
Pesë ndeshjet e fundit të Arsenalit janë ndaj skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës: Newcastle, Fulham, West Ham, Burnley dhe Crystal Palace.
Ndërsa City përballet me Everton, Bournemouth, Brentford dhe Aston Villa, si dhe Burnley e Palace.
Pas humbjes, Arteta tha: “Unë besoj sot, besoj të mërkurën, dhe një javë më parë, sepse i shoh çdo ditë dhe e di nivelin që kemi. Sot, nëse kanë nevojë për më shumë bindje, mendoj se tani janë më të bindur.”
Ai shtoi: “Janë duke folur për këtë në dhomën e zhveshjes. Është një ligë e re tani. Kemi tre pikë avantazh dhe pesë ndeshje për të luajtur. Gjithçka është ende e hapur.”
Për mundësinë që titulli të vendoset nga diferenca e golave, Arteta u shpreh:
“Do të shohim çfarë ndodh. Është Premierliga. Për të fituar një ndeshje në këtë ligë është jashtëzakonisht e vështirë. Do të përgatitemi ndeshje pas ndeshjeje dhe do të mësojmë nga ajo që ndodhi sot”./GazetaExpress/