Liverpooli është i gatshëm të bëjë gjithçka që duhet për të siguruar transferimin e sulmuesit të Leipzigut, Yan Diomande, këtë verë.
“Sky Sports” raporton se Liverpooli e ka identifikuar 19-vjeçarin si kandidatin kryesor për të zëvendësuar Mohamed Salahun, i cili pritet të largohet në fund të sezonit.

Sipas raportit, “bisedime shumë konkrete” tashmë janë duke u zhvilluar mes drejtuesve të Liverpoolit dhe agjencisë së Diomandes. Edhe pse klubi anglez ende nuk ka kontaktuar drejtpërdrejt me Leipzigun, kjo mund të ndodhë së shpejti.
Liverpooli do të duhet të paguajë një shumë të madhe për përfaqësuesin e Bregut të Fildishtë, i cili ka kontratë me Leipzigun deri në vitin 2030.
“Sky” raporton se Leipzigu është duke diskutuar një zgjatje kontrate me përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa klubi, aktualisht i treti në Bundesliga dhe në rrugë për kualifikim në Ligën e Kampionëve pjesërisht falë kontributit të tij, do të kërkonte mbi 100 milionë euro për sulmuesin e tyre kryesor.
Nëse realizohet, ky transferim do ta bënte Diomanden lojtarin e pestë të Bundesligës që largohet për një shumë rreth 100 milionë euro, pas Kai Havertz (100 milionë euro, Bayer Leverkusen te Chelsea, 2020), Florian Wirtz (125 milionë euro, Leverkusen te Liverpool, 2025), Jude Bellingham (127 milionë euro, Borussia Dortmund te Real Madrid) dhe Ousmane Dembélé (148 milionë euro, Borussia Dortmund te Barcelona, 2017).
Vetëm vitin e kaluar ai iu bashkua Leipzigut nga Leganési për 20 milionë euro, dhe që atëherë është shndërruar në një nga talentet më premtues të Bundesligës, duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë tetë asistime në 32 paraqitje këtë sezon.
Ai debutoi me Bregun e Fildishtë në tetor dhe mund të përballet me Gjermaninë në fazën e grupeve të Kupës së Botës këtë verë.
Progresi i tij i shpejtë ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane.
Liverpooli aktualisht konsiderohet favorit, por edhe Paris Saint-Germaini thuhet se ka zhvilluar bisedime së fundmi me përfaqësuesit e lojtarit.
Diomande e ka bërë të qartë se Liverpooli është klubi i tij i fëmijërisë.
“Jam një tifoz i madh i Liverpoolit. Babai im ëndërron të më shohë duke luajtur një ditë në ‘Anfield’. Edhe kjo është ëndrra ime – dhe dua ta realizoj,” ka deklaruar ai në një video në TikTok në janar.
Liverpooli është lidhur gjithashtu me një tjetër lojtar nga Bregu i Fildishtë në Bundesliga, Bazoumana Touré të Hoffenheimit, i cili shihet si një zëvendësim afatgjatë për Mohamed Salahun.
Bayern Munichu raportohet se është i interesuar për të dy lojtarët, Touré dhe Diomande.
Kualifikimi në Ligën e Kampionëve mbetet prioritet për Liverpoolin, dhe vendi i pestë në Premierligë – pozita aktuale e tyre – do ta siguronte këtë objektiv.
Shanset e tyre u përmirësuan gjatë fundjavës pasi Chelsea humbi 0-1 ndaj Manchester Unitedit, ndërsa një ditë më vonë Liverpooli fitoi 2-1 ndaj Evertonit në derbin e Merseyside.
Me pesë ndeshje të mbetura, “Të Kuqtë” tani janë shtatë pikë përpara Chelseat.
Megjithatë, gazetari i njohur David Ornstein tha në podcastin “The Athletic FC” se trajneri Arne Slot ka gjasa të qëndrojë edhe nëse klubi nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
Holandezi, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, ka qenë nën presion në rritje pas një sezoni zhgënjyes.
Gjatë periudhës së vështirë të sezonit, ai pati edhe një përplasje të bujshme me Mohamed Salahun në dhjetor.
Edhe pse të dy e zgjidhën shpejt situatën, egjiptiani njoftoi në fund të marsit se do të largohet një vit para përfundimit të kontratës.
“Fatkeqësisht, ka ardhur dita. Kjo është pjesa e parë e lamtumirës sime. Do të largohem nga Liverpool në fund të sezonit,” tha Salah./GazetaExpress/