Manchester Unitedi e ka vendosur Aurélien Tchouaménin si një nga objektivat kryesorë për të zëvendësuar Casemiron në mesfushë.
Prej kohësh dihet se prioriteti i Unitedit këtë verë është rindërtimi i mesfushës, dhe sipas “The Telegraph”, reprezentuesi francez po konsiderohet si pasues i mundshëm i Casemiros, i cili pritet të largohet kur t’i skadojë kontrata në verë.
Megjithatë, e ardhmja e tij te Real Madridi mund të varet nga situata e Rodrit te Manchester City.
Rodri, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit të ardhshëm, hodhi dyshime mbi të ardhmen e tij muajin e kaluar duke thënë se “nuk mund t’i refuzosh klubet më të mira në botë”, kur u pyet për një transferim të mundshëm te Real Madridi.
Megjithatë, trajneri Pep Guardiola ka deklaruar se mesfushori spanjoll pritet të rinovojë kontratën, edhe pse nuk do ta pengonte nëse madrilenët do të bënin ofertë.
Tchouaméni ka kontratë deri në vitin 2028, por raportimet nga Spanja sugjerojnë se Reali është i hapur të dëgjojë oferta edhe për shokun e tij të skuadrës dhe kombëtares, Eduardo Camavingan, si një mënyrë alternative për të siguruar të ardhura.
26-vjeçari, i cili ka fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligan gjatë kohës së tij në Madrid, ka folur së fundmi për vështirësitë që ka hasur në “Bernabéu”.
“U bëra një ‘fajtor’ i lehtë. Në 10-20 minutat e para, stadiumi më fishkëllente sa herë që prekja topin. Ajo situatë ose të shkatërron, ose të bën të mendosh: ‘kjo është’, dhe të fokusohesh vetëm te performanca jote”, u shpreh ai.
Sipas raportit, Unitedi synon të transferojë të paktën dy mesfushorë këtë verë, madje mund të kërkojë edhe një të tretë nëse Manuel Ugarte largohet.
Ndërkohë, si Manchester City ashtu edhe Unitedi po ndjekin nga afër zhvillimin e Elliot Andersonit, i cili aktualisht luan për Nottingham Forestin dhe vlerësohet rreth 100 milionë paund.
Që nga transferimi nga Newcastle Unitedi në vitin 2024, ai është shndërruar në një nga mesfushorët e rinj më premtues në kampionat.
Interesim për Andersonin kanë shfaqur edhe Chelsea dhe Tottenham Hotspuri, por pritet një garë direkte mes Cityt dhe Unitedit për shërbimet e tij.
Gjithashtu, Adam Whartoni është lidhur me një transferim të mundshëm tek Unitedi, pas paraqitjeve mbresëlënëse me Crystal Palacen./GazetaExpress/