Liverpooli po mendon seriozisht për zëvendësimin e një prej afrimeve më të bujshme të verës, më pak se një vit pasi ai iu bashkua klubit.
Skuadra e drejtuar nga Arne Slot ka kaluar një sezon zhgënjyes pas triumfit në Premierligë në vitin e tij të parë, ndërsa aktualisht lufton për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
“Reds” janë eliminuar nga të gjitha garat e kupës, megjithatë morali u rrit pas fitores dramatike në derbin e parë të Merseyside në stadiumin “Hill Dickinson”.
Virgil van Dijk shënoi me kokë në minutën e 100-të, pasi Beto kishte barazuar golin e Mohamed Salahut.
Megjithatë, performanca e përgjithshme e Liverpoolit këtë sezon është reflektuar nga fakti që golat vendimtarë kanë ardhur pikërisht nga Van Dijku dhe Salahu, ndërsa shpenzimet prej rreth 400 milionë eurosh në merkato nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
Lëndimet kanë prekur lojtarë si Alexander Isakun, Giovanni Leonin dhe Hugo Ekitikén, ndërsa emra si Milos Kerkezi, Jeremie Frimpongu dhe Florian Wirtzi nuk kanë përmbushur pritshmëritë.
Sipas raportimeve nga “Tuttomercatoweb” (TMW), Frimpong mund të zëvendësohet që këtë verë, me Liverpoolin që po lidhet me mbrojtësin e Interit dhe kombëtares holandeze Denzel Dumfries.
Megjithëse edhe Frimpongu ka pasur probleme me dëmtime, fakti që ai ka nisur vetëm 10 ndeshje në kampionat – edhe pse Conor Bradley ka munguar për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju – ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij në skuadër.
Frimpongu kishte shkëlqyer më parë me Bayer Leverkusenin, duke fituar Bundesligan pa humbje në sezonin 2023/24, ku luante më shumë në rol ofensiv.
Nga ana tjetër, Dumfries nuk është një objektiv i ri për Liverpoolin.
Raporti thekson se Interi kishte refuzuar një ofertë huazimi në janar për të.
30-vjeçari ka një klauzolë largimi prej rreth 21.7 milionë paundësh në kontratën e tij dhe po ndiqet nga disa klube të mëdha evropiane para hapjes së merkatos verore./GazetaExpress/