Mungesa e shërbimeve të shëndetit mendor në disa zona të Mbretërisë së Bashkuar po bën që mjekët e familjes të mbështeten gjithnjë e më shumë te ilaçet kundër depresionit, në vend të trajtimeve alternative si terapia psikologjike.
Sipas një analize të të dhënave të NHS-së, përdorimi i antidepresantëve ndryshon ndjeshëm nga rajoni në rajon. Në verilindje të vendit, rreth një në katër persona i përdor këto barna, ndërsa në Londër kjo shifër është rreth një në tetë. Mesatarisht në gjithë vendin, rreth një në shtatë persona – afro 9 milionë njerëz – janë në trajtim me antidepresantë.
Mjekët nën presion për shkak të mungesës së alternativave
Ekspertët theksojnë se këto diferenca lidhen drejtpërdrejt me mungesën e burimeve në zonat më të varfra dhe me pritjet e gjata për shërbime psikologjike. Në këto kushte, mjekët e familjes shpesh detyrohen të përshkruajnë ilaçe si zgjidhje e vetme e menjëhershme.
Matt Hall, drejtor në kompaninë e sigurimeve shëndetësore MyHealthPal, që kreu analizën, shpjegon se përshkrimi i barnave nuk ndodh në izolim, por ndikohet nga ajo që është realisht e disponueshme për pacientin në atë moment.
Sipas tij, në disa zona të verilindjes, mjekët përballen me kërkesë të lartë dhe mungesë opsionesh alternative, ndërsa listat e pritjes për terapi psikologjike mund të zgjasin me muaj. Në këto kushte, medikamentet mbeten shpesh e vetmja formë ndihme e menjëhershme, edhe pse jo domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë afatgjatë.
Rritje e ndjeshme e kërkesës për shërbime të shëndetit mendor
Të dhënat e NHS-së tregojnë gjithashtu një rritje të fortë të kërkesës për shërbime të shëndetit mendor në të gjithë vendin. Vitin e kaluar, rreth 4.1 milionë persona kanë qenë në kontakt me këto shërbime në Angli, krahasuar me 2.6 milionë një dekadë më parë.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje, e kombinuar me mungesën e kapaciteteve, po ushtron presion të madh mbi sistemin shëndetësor dhe po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si trajtohen pacientët. /GazetaExpress/