Drejtori i Interit, Piero Ausilio, ka konfirmuar se Barcelona ende nuk ka hapur bisedime zyrtare për mbrojtësin Alessandro Bastoni, por ka lënë të kuptohet se nëse ka interesim, klubi katalanas “i di numrat e telefonit…”.

Barcelona ka vendosur synimin te Bastoni dhe disa burime kanë raportuar se negociatat mes agjentit të lojtarit dhe klubit katalanas tashmë kanë nisur, por ende nuk ka kontakte direkte mes klubeve.
“Bastoni ka kontratë me Interin dhe, deri më sot, nuk mendoj se ka ndonjë rrethanë që tregon largim të tij nga Interi”, tha Ausilio për gazetarët në Coverciano, përmes “Tuttomercatoweb” (TMW).
Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, Bastoni shihet si objektivi kryesor i Barcelonës për mbrojtjen në sezonin 2026-27, dhe opsionet e tij do të ishin ose transferimi te Barcelona ose qëndrimi tek Interi, pavarësisht interesimit edhe nga klube të tjera si Liverpooli.
Ausilio shtoi: “Nuk e di çfarë thonë të tjerët. Ne jemi të kënaqur me Bastonin dhe atë që ai i ka dhënë Interit. Jam i sigurt se ai ka edhe shumë për t’i dhënë Interit”.
Ai shtoi me ironi: “Nëse ka interesim për Bastonin, ata i dinë numrat e telefonit; duhet të telefonojnë në vend që të flasin”.
Ndërkohë, Interi është pranë fitimit të titullit në Serie A, duke pasur një epërsi të madhe ndaj Napolit, ndërsa klubi tashmë po planifikon edhe përforcimet e sezonit të ardhshëm, përfshirë edhe Marco Palestran nga Atalanta./GazetaExpress/