Gratë në gazetari: Mes sfidave dhe vendosmërisë - Gazeta Express
string(46) "grate-ne-gazetari-mes-sfidave-dhe-vendosmerise"

Lajme

Gazeta Express

17/04/2026 12:24

Gratë në gazetari: Mes sfidave dhe vendosmërisë

Lajme

Gazeta Express

17/04/2026 12:24

Gazetaria në Kosovë ka shënuar zhvillime të rëndësishme ndër vite, duke u bërë një nga shtyllat kryesore të informimit dhe demokracisë. Brenda këtij realiteti, gratë gazetare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në raportimin e ngjarjeve dhe në sjelljen e historive që shpesh mbeten në hije.

 Donjeta Ahmeti

Megjithatë, përtej suksesit dhe përkushtimit të tyre, ato vazhdojnë të përballen me sfida të shumta , nga presioni në vendin e punës, paragjykimet gjinore, deri te mungesa e sigurisë dhe mbështetjes së mjaftueshme institucionale.

Për të kuptuar më nga afër këto sfida, gazetarja hulumtuese Ardiana Thaçi tregon për rrugëtimin e saj në gazetari dhe vështirësitë që ka hasur gjatë punës.

Duke folur për fillimet në gazetarinë hulumtuese, ajo tregon se rruga nuk ka qenë e lehtë.

“Fillimi i karrierës sime në gazetarinë hulumtuese ka qenë mjaft sfidues. Në fillim, nuk e kisha të qartë se çfarë përbën një lajm dhe si të identifikoja elementin kryesor në një konferencë për shtyp, e cila mund të zgjaste edhe dy orë, apo në një komision parlamentar që mund të zgjaste edhe më gjatë. Kjo ishte një nga sfidat e para,” thotë ajo.

Sipas saj, sfidat nuk ndalen vetëm në fillim.

“Më pas, sfidë tjetër ka qenë fitimi i besimit të publikut, gjetja e burimeve dhe krahasimi i informacioneve duke i balancuar ato me ligjet dhe rregullat profesionale. Fillimi është i vështirë, por nëse punon hap pas hapi, arrihen rezultatet dhe suksesi.”

Ajo thekson se në të kaluarën gratë janë përballur me më shumë barriera në këtë profesion.

“Po, në të kaluarën ka pasur më shumë sfida për gratë në këtë fushë. Të qenit grua nënkupton jo vetëm gjininë, por edhe përgjegjësitë që vijnë me të – si të qenit nënë, motër, bashkëshorte apo vajzë e dikujt. Të gjitha këto krijojnë një presion shtesë për të qenë gjithmonë më e mira e mundshme.”

Megjithatë, ajo vlerëson se situata ka ndryshuar me kalimin e kohës.

“Më herët ka ndodhur që gratë të mos merren aq seriozisht vetëm për shkak të gjinisë. Megjithatë, sot situata ka ndryshuar dukshëm. Në Kosovë, shumica e gazetarëve janë gra dhe tashmë është kuptuar që ky profesion nuk lidhet me gjininë, por me profesionalizmin dhe integritetin.”

Duke folur për presionin në punë, ajo pranon se kjo është pjesë e përditshme e gazetarisë hulumtuese.

“Po, presioni është pjesë e pandashme e gazetarisë, sidomos asaj hulumtuese. Shpesh ka presion sepse ka njerëz që nuk duan që e vërteta të dalë në shesh, veçanërisht kur bëhet fjalë për korrupsion apo keqpërdorime.”

Ajo shton se presioni nuk vjen vetëm nga faktorë të jashtëm.

“Një tjetër lloj presioni është ai i kohës – gara për të publikuar lajmin i pari. Po ashtu, presion i madh është edhe verifikimi i informacionit. Ndonjëherë ke informacione shumë të rëndësishme, por verifikimi i tyre kërkon kohë, dhe kjo krijon një presion të vazhdueshëm për ta bërë punën sa më saktë dhe profesionalisht.”

Një ndër elementët më të rëndësishëm në gazetarinë hulumtuese, sipas saj, është ndërtimi i besimit me burimet.

“Fitimi i besimit të burimeve është shumë i rëndësishëm dhe kërkon përkushtim. Unë i quaj ato ‘sinjalizues’ dhe i konsideroj shumë të çmuar. Për të fituar besimin e tyre, duhet mbi të gjitha të mos e tradhtosh atë besim.”

Ajo thekson rëndësinë e përgjegjësisë në trajtimin e informacioneve.

“Kur merr një informacion, duhet ta ndjekësh deri në fund – ta verifikosh dhe pastaj ta publikosh në mënyrë profesionale. Pikërisht kjo e ndërton besimin.”

Në fund, ajo ka edhe një mesazh për vajzat e reja që duan të ndjekin këtë profesion.

“Vajzave të reja do t’u këshilloja të jenë vetvetja, të kenë besim në veten e tyre dhe të ruajnë integritetin. Mbi të gjitha, duhet ta duan punën që bëjnë.”

Sipas saj, gratë sjellin një perspektivë të veçantë në gazetari.

“Unë besoj që gratë kanë një ndjeshmëri dhe intuitë të veçantë, që i ndihmon të identifikojnë padrejtësitë në shoqëri dhe të kërkojnë zgjidhje. Kjo është një forcë e madhe që duhet shfrytëzuar në gazetarinë hulumtuese.”

Për të pasur një pamje edhe më të gjerë mbi sfidat dhe mbështetjen e grave në gazetari, Drejtoreshën Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqaj ndan mendimet dhe këshillat e saj mbi barazinë gjinore dhe mbrojtjen e gazetareve.

Ajo thotë se, edhe pse ka pasur progres, dallimet me burrat ende ekzistojnë, sidomos në pozitat vendimmarrëse dhe në sigurinë në punë.

“Pozita e grave në gazetari në Kosovë ka shënuar pak progres në vitet e fundit, sidomos sa i përket përfaqësimit dhe rolit të tyre në redaksi. Megjithatë, dallimet me burrat ende ekzistojnë, veçanërisht në pozitat vendimmarrëse, sigurinë në punë dhe trajtimin profesional. Gratë gazetare shpesh përballen me më pak mundësi për avancim dhe me një ekspozim më të madh ndaj formave të ndryshme të presionit.”

Ajo shton se këto sfida shpesh kanë një dimension gjinor:

“Në shumë raste gazetaret përballen me forma të veçanta të sulmeve pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Këto përfshijnë gjuhë seksiste, komente denigruese për pamjen apo jetën private, si dhe kërcënime që shpesh kanë komponent gjinor. Kjo e bën përvojën e tyre më të rëndë dhe kërkon një përgjigje më të strukturuar nga institucionet dhe vetë mediat.”

Sa i përket mbështetjes për gratë në gazetari dhe mënyrën se si mund t’i mbrojnë nga sfidat dhe kërcënimet, Drejtoreshë Ekzekutive Mulliqaj tregon për iniciativat dhe mekanizmat që AGK ka vendosur në funksion të gazetareve.

“AGK edhe nëpërmjet RrGGK-së ka qenë aktive në monitorimin dhe reagimin ndaj rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetareve. Ne ofrojmë mbështetje ligjore, ngrisim zërin për çdo rast dhe bashkëpunojmë me institucionet për të kërkuar përgjegjësi. Gjithashtu, kemi zhvilluar trajnime për raportim etik dhe po punojmë në krijimin e mekanizmave si mentorimi dhe pika kontakti në media për mbështetje profesionale.  Përmes RrGGK, kemi krijuar edhe hapësira solidariteti dhe fuqizimi për gazetaret.”

Drejtore Ekzekutive Mulliqaj sugjeron ndryshime për të rritur mundësitë dhe sigurinë e grave në gazetari:

“Është e domosdoshme që mediat të ndërtojnë politika të brendshme më të forta për barazi gjinore dhe siguri në vendin e punës. Duhet më shumë gra në pozita vendimmarrëse, kontrata më të sigurta dhe mekanizma të qartë për raportimin e ngacmimeve dhe diskriminimit. Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mund të sigurojmë një ambient më të sigurt dhe më të barabartë për gazetaret në Kosovë.”

Puna e Ardiana Thaçit dhe përkushtimi i Drejtoreshës Ekzekutive Getoarbë Mulliqaj tregojnë se, përtej sfidave, vendosmëria, profesionalizmi dhe mbështetja institucionale po ndryshojnë fytyrën e medias në Kosovë. Gratë në gazetari po fitojnë hap pas hapi mundësi më të barabarta, siguri më të madhe dhe një rol më të fuqishëm në formësimin e informimit dhe demokracisë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement