Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për energjinë elektrike nuk janë përfshirë në rend të ditës në seancën e sotme të Kuvendit.
Deputetët opozitarë nuk pranuan që këto dy projektligje të përfshihen me procedurë të përshpejtuar, përkundër insistimit të mazhorancës parlamentare.
Këto projektligje nxitën edhe polemika dhe përplasje mes ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe deputetëve të PDK-së.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se është e papranueshme që këto projektligje të shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar.
Ai renditi një varg, siç tha, parregullsish që janë të parapara në këto projektligje.
“E ka pas këtë mundësi që gjashtë vjet me bërë, por nuk e ka bërë asnjë hap, pasi ka qenë e interesuar për import. Qeveria në ditët e saj të fundit të saj institucional thotë hajde të bëjmë reformë, pa lexuar ligjin, pa lexuar strategjinë, pa i parë ligjet bazike dhe synimin dhe qëllimin e kësaj iniciative. Me procedurë të shpejtë thotë rregullatorin mbylleni… Nuk ka vend në rruzullin evropian ndërhyrje më flagrante sesa që bën kjo qeveri me këto draft-ligje që i ka pruar”, tha ai.
Kundër formës së miratimit të këtyre projektligjeve u shpreh edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.
“E kundërshtojmë absolutisht mënyrën e tillë të imponimit të ligjeve në seanca të rregullta, jashtë procedurave”, tha ajo.
Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Është kërkesë e gabuar dhe e cila edhe një herë tenton t’i futë ligjet në trajtim pa një konsultim të thellë, duke parë ndryshime substanciale në ligj”, deklaroi Tahiri.
Mirëpo, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se e ka të pamundur të mos e hedhë në diskutim dhe votim kërkesën e deputetëve.
Sipas saj, deputetët pastaj e vendosin me votën e tyre a pranojnë këtë shmangie të procedurës apo jo.
“Deputetët vendosin me votën e tyre nëse një kërkesë pranohet apo jo. Është keqpërdorim i autoritetit nëse unë i ndaloj grupet parlamentare të bëjnë propozime të tilla. Sot është LVV-ja, nesër mund të jeni ju”, shtoi ajo.
Fjalën më pas e mori ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila arsyetoi nevojën e miratimit të ligjeve, pasi siç tha Kosova i humb nëntë milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së.
Ajo iu kundërpërgjigj edhe kritikave të ligjeve nga deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“E para, ju ligjet para jush e rrisin konkurrencën në treg, mbrojnë konsumatorët në treg dhe rregullojnë pakon e pastër të BE-së, obligim që e kemi marrë në fund të vitit 2022, ndërsa në fund të vitit 2024 e kemi pasur afatin për të miratuar këto ligje… Ligjet që i keni sot para jush i kanë kaluar konsultimet publike më shumë se 15-16 muaj më herët dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i analizuar dhe të gjithë i kanë parë. Këto dy ligje i kemi si kusht për përfitimet e mjeteve nga Plani i Rritjes. I kemi nëntë milionë euro që i humbim nëse këto nuk miratohen shumë shpejt. Kjo nuk mjafton që të jetë fundi i qershorit. Ky ligj sjell përmirësime të dukshme të cilat janë nga përvojat e menaxhimit të krizës dhe nga avancimi i kornizës ligjore që vjen nga direktivat e BE-së. Ne tani jemi në një situatë kur lufta në Iran po e përkeqëson dhe rrit pasigurinë në sektorin e energjisë dhe ju me vetëdije po na vështirësoni menaxhimin e krizës eventuale që mund të vijë në muajt dhe gjatë vitit në vijim. Është e padrejtë dhe gënjeshtër me thënë që këto ligje janë të dëmshme”, deklaroi ajo.
Më pas fjalën sërish e dëshiroi deputeti Shala, por të cilit nuk ia dha fjalën kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Lexoni rregulloren e Kuvendit dhe shihni se kush është përgjegjës me dhënien e fjalës në Kuvend. Uluni në vend”, theksoi ajo.
Kjo situatë u tejkalua vetëm pas diskutimeve disa minutëshe, e më pas kryetari i PDK-së, deputeti Bedri Hamza kërkoi nga Haxhiu që mos të bëjë praktikë këtë formë të udhëheqjes së seancës.
Ai pati disa fjalë edhe për projektligjet për sektorin e energjisë.
“Mos e bëni praktikë nëse e dini se një deputet e ka të drejtën e vet në bazë të rregullores që kur i përmendet emri. Ia ka përmendur emrin zonja ministre, i është referuar zotëri Ferat Shala. Por mos të bëhet praktikë pasi s’kemi mbarëvajtje të mirë të punës së Kuvendit. Kjo nuk është e arsyeshme. Ministre, mundet me i hup Kosova paratë, por ju jeni fajtore. Nuk e keni proceduar ligjin në kohë”, tha ai.
Shell Kosova ka nisur një lojë shpërblyese që i kthen postimet në Instagram në mundësi reale për fitim. Me #ShellKosova...