Álvaro Arbeloa, trajner i Real Madrid, nuk e fsheh zhgënjimin pas eliminimit nga Bayern Munich dhe ndalet sidomos te episodi i kartonit të kuq ndaj Eduardo Camavingas, që e ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.
Trajneri spanjoll ishte shumë i ashpër ndaj vendimit të referit: “Si është e mundur të përjashtohet një lojtar për një rast të tillë? Askush nuk e kupton këtë vendim. Është diçka e pashpjegueshme dhe e padrejtë.”
Ai më tej la të kuptohet se edhe referi mund të ketë bërë gabim në vlerësim: “E kam përshtypjen se gjyqtari nuk e dinte që Camavinga e kishte tashmë një karton të verdhë. Është edhe më e rëndë kështu.”
Arbeloa u ndal edhe te ndikimi i këtij vendimi në ndeshje: “Është shkatërruar një ndeshje e bukur, një përballje e ekuilibruar. Një ndeshje eliminuese e tillë nuk duhet të vendoset nga një episod i tillë.”
Sa i përket gjendjes së skuadrës, trajneri i “Los Blancos” u shpreh: “Jemi të tronditur dhe të zhgënjyer. Më vjen keq për lojtarët, për përpjekjen që e bënë dhe për tifozët tanë. Kemi dhënë gjithçka në fushë.”
Në fund, Arbeloa e theksoi krenarinë për skuadrën pavarësisht eliminimit: “Kthehemi në Madrid me kokën lart. Këta lojtarë e dhanë maksimumin dhe kjo është ajo që ka rëndësi.”
Eliminimi nga Bayern Munichu e lë një shije të hidhur te Real Madridi, sidomos për mënyrën si erdhi, me një vendim që vazhdon të shkaktojë polemika dhe debat në botën e futbollit. /Gazeta Express