Anije të lidhura me Iranin thuhet se po e shpërfillin bllokadën amerikane duke kaluar nëpër Hormuz - Gazeta Express
string(98) "anije-te-lidhura-me-iranin-thuhet-se-po-e-shperfillin-bllokaden-amerikane-duke-kaluar-neper-hormuz"

Lajme

Gazeta Express

14/04/2026 18:57

Anije të lidhura me Iranin thuhet se po e shpërfillin bllokadën amerikane duke kaluar nëpër Hormuz

Lajme

Gazeta Express

14/04/2026 18:57

Anije të lidhura me Iranin thuhet se kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit të martën, në ditën e parë të plotë të një bllokade detare amerikane ndaj anijeve “që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane”.

Të dhënat nga shërbimet e gjurmimit të anijeve tregojnë se të paktën katër anije, dy prej të cilave kishin ndaluar së fundmi në portet iraniane, kishin kaluar ose po kalonin në këtë rrugë ujore me gjerësi 30 kilometra, në orët pasi bllokada hyri në fuqi një ditë më parë.

Nuk ka pasur raportime që Uashingtoni ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër këtyre anijeve për të zbatuar bllokadën.

Këto anije përbëjnë testin e parë të bllokadës, e cila u vendos pas dështimit të bisedimeve të paqes midis SHBA-së dhe Iranit në Islamabad më 11–12 prill.

Mediat raportuan të martën se Pakistani po përpiqet ta ndërmjetësojë një rund të ri bisedimesh më vonë gjatë kësaj jave.

Gjatë një interviste më herët, nënpresidenti amerikan, JD Vance, e përmendi mundësinë e takimeve të tjera duke thënë se ishte arritur “shumë përparim” në Islamabad.

“Topi është në fushën e Iranit”, shtoi Vance.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, citoi presidentin e vendit, Masud Pezeshkian, i cili gjatë një bisede të martën me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, fajësoi sërish Uashingtonin për dështimin e bisedimeve. Megjithatë, ai tha gjithashtu se “diplomacia është rruga e preferuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, sipas IRNA-s.

Macron tha se u kishte bërë thirrje Pezeshkian dhe presidentit amerikan Donald Trump, në biseda të ndara, që të rinisnin negociatat.

Çmime “rekorde” të naftës

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës e quajti bllokadën amerikane “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.

Guo Jiakun tha se ajo do t’i “rrisë tensionet, do ta minojë marrëveshjen e brishtë të armëpushimit dhe do ta rrezikojë më tej sigurinë e lundrimit përmes ngushticës”.

Të martën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) tha se kërkesa globale për naftë do të bjerë më shumë se në çdo periudhë që nga pandemia e Covid-19, për shkak të “goditjes më të rëndë të furnizimit në histori” si pasojë e luftës me Iranin.

Kjo është shkaktuar nga sulmet iraniane dhe kërcënimet ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, të cilat kanë mbyllur pothuajse plotësisht një rrugë nëpër të cilën zakonisht kalon 20 për qind e furnizimit global me naftë.

Mbyllja pothuajse e plotë e ngushticës nga Teherani ndodhi pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që nisën më 28 shkurt. Ajo nuk është rihapur pavarësisht armëpushimit që filloi më 8 prill.

Ndërkohë, të martën pasdite do të zhvillohen bisedime të veçanta në Uashington midis Izraelit dhe Libanit, të përqendruara në fushatën e vazhdueshme të Izraelit kundër Hezbollahut, forcës së lidhur me Iranin në Liban.

Hezbollahu, të cilin Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, nuk do të marrë pjesë në bisedime dhe i ka dënuar ato.

Teherani thotë se ky konflikt duhet të përfshihet në armëpushimin më të gjerë, por Uashingtoni thotë se është i ndarë. Ai nisi kur Hezbollahu sulmoi Izraelin më 2 mars, në përgjigje të sulmeve ajrore ndaj Iranit./ Radio Evropa e Lirë

Advertisement
Advertisement
Advertisement