Një episod i pazakontë dhe shumë i diskutueshëm ka ndodhur në futbollin brazilian, ku një lojtar i Corinthians është ndëshkuar me karton të kuq pas një veprimi që ka shkaktuar reagime të forta.
Bëhet fjalë për André, i cili është përjashtuar nga loja pas një ndërhyrjeje të VAR-it, pasi kamerat e kapën një gjest të papërshtatshëm gjatë ndeshjes.
Mesfushori u filmua duke e prekur organin gjenital, një veprim që u konsiderua si sjellje e pahijshme dhe provokuese ndaj kundërshtarëve, shkruajnë mediat braziliane, përcjell “Gazeta Express”.
Fillimisht episodi nuk ishte ndëshkuar nga referi në fushë, por pas sinjalizimit nga VAR-i, gjyqtari vendosi t’i rishikojë pamjet dhe më pas e nxori kartonin e kuq direkt.
Vendimi ka shkaktuar polemika të shumta, me opinionin publik të ndarë mes atyre që e konsiderojnë të drejtë ndëshkimin për një gjest të tillë dhe atyre që e shohin si një vendim të ekzagjeruar.
Rasti e ka rikthyer edhe një herë në qendër të debatit përdorimin e VAR-it dhe kufijtë e ndërhyrjes së tij, sidomos në situata që lidhen me sjelljen e lojtarëve dhe interpretimin e gjesteve në fushë.
Megjithatë, sipas rregullave, gjestet e konsideruara të pahijshme ose provokuese mund të ndëshkohen me karton të kuq, dhe në këtë rast teknologjia ka luajtur rol vendimtar në marrjen e vendimit. /Gazeta Express