Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në New York në nderim të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet për familjen e tij në emër të Republikës së Kosovës.
Konjufca e cilësoi këtë moment si një rast për të nderuar jetën dhe veprën e një miku të madh të shqiptarëve dhe Kosovës. Ai theksoi se Engel, për dekada me radhë, ka qëndruar i përkushtuar në mbrojtje të të drejtës së popullit të Kosovës për çlirim, liri dhe pavarësi.
Sipas tij, kontributi i Engel mbetet thelbësor në ndërtimin dhe forcimin e miqësisë së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh,” u shpreh Konjufca, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Engel në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën.