Në një treg të vogël si Kosova, me rreth 1.5 milion banorë dhe pa marrëdhënie diplomatike me Kinën, prania e bizneseve me kapital kinez duket paradoksale: qindra të regjistruara në letra, por vetëm disa që funksionojnë realisht.
Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tregojnë se nga viti 2000 deri në vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 448 biznese me origjinë kineze në Kosovë.
Megjithatë, vetëm 13 prej tyre rezultojnë aktive, ndërsa 396 janë pasive dhe 39 janë shuar.
Kjo tablo ngre pikëpyetje jo vetëm për efektivitetin e këtyre investimeve, por edhe për cilësinë e mbikëqyrjes institucionale në vend.
Shifra të larta, aktivitet i ulët
Bizneset me kapital kinez janë përqendruar kryesisht në sektorë si tregtia me shumicë dhe pakicë, gastronomia, akomodimi, industria nxjerrëse (xehetaria dhe gurthyesit), si dhe fusha e informimit dhe komunikimit.
Por, pjesa dërrmuese e tyre mbeten vetëm në regjistra.
Bizneset e kategorizuara si pasive nuk kanë përditësuar të dhënat dhe nuk kanë tërhequr certifikatën me numër unik identifikues – një tregues që, sipas njohësve të ekonomisë, ngre dyshime për funksionimin real të tyre.
Numri më i madh i regjistrimeve është shënuar në periudhën 2004-2009.
Pas kësaj kohe, interesi ka rënë ndjeshëm, ndërsa nga viti 2011 e këndej janë regjistruar mesatarisht vetëm deri në tri biznese kineze në vit.
Biznese “aktive” që mezi gjenden
Një verifikim i Radios Evropa e Lirë në terren nxjerr në pah një realitet edhe më të zbehtë.
Nga 13 bizneset e deklaruara si aktive, dhjetë rezultuan të paqasshme në telefon.
Vetëm tri prej tyre konfirmuan se operojnë: një restorant në Prishtinë, një biznes për shitjen e pajisjeve teknologjike dhe një kompani në sektorin e gurthyesit.
Vetë përfaqësuesit e këtyre bizneseve, duke folur në kushte anonimiteti, theksojnë se bashkëpunimi me aksionarë kinezë nuk është pjesë e ndonjë strategjie të gjerë investimi, por se lidhet me iniciativa individuale.
Një bashkëpronar restoranti thotë se ideja për biznesin erdhi pas njohjes me një aksionar kinez në Norvegji, me synimin për të sjellë kuzhinën aziatike në Kosovë.

Një aksionar në sektorin e teknologjisë tregon se kishte bindur një investitor kinez të bëhej ortak pas vizitave në Kinë.
Në Rahovec, ndërkaq, pritet të nisë operimin një kompani për nxjerrjen e gurit si lëndë e parë për mermer, me destinacion eksporti drejt Kinës – një nga rastet e rralla me orientim të qartë tregtar.
Mes interesit ekonomik dhe ndikimit strategjik
Pavarësisht aktivitetit të kufizuar, ekspertët paralajmërojnë se prania kineze nuk duhet parë vetëm përmes shifrave aktuale.
Në nivel global, Kina ka ndërtuar një strategji të zgjerimit ekonomik përmes investimeve në infrastrukturë, energji dhe tregje të reja, veçanërisht përmes nismave si “Brezi dhe Rruga”.
Sipas ekspertëve, Kina, përmes investimeve të këtij lloji, synon jo vetëm përfitime tregtare, por edhe shtrirjen e ndikimit të saj politik dhe strategjik.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, vlerëson se diferenca e madhe mes bizneseve të regjistruara kineze në Kosovë dhe atyre aktive, ngre shqetësime.
“Do të ishte e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të kryejnë analiza më të thelluara, jo vetëm për transparencë, por edhe për të kuptuar nëse kemi investime reale apo vetëm prezencë statistikore”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, e sheh interesin e Kinës në rajon si pjesë të një strategjie më të gjerë.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor shihet si një hapësirë e rëndësishme për zgjerim ekonomik drejt Evropës, ku investimet në energji dhe infrastrukturë shoqërohen me diplomaci ekonomike.
“Kina po investon në rajon në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës dhe këto aktivitete tregojnë se bëhet fjalë për një qasje të koordinuar, që kombinon biznesin me diplomacinë ekonomike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë kontekst, Serbia përbën shembullin më të qartë të thellimit të ndikimit kinez, jo vetëm në ekonomi, por edhe në fusha si kultura, media dhe arsimi.
Ndryshe nga Serbia, Kosova mbetet jashtë këtyre zhvillimeve, kryesisht për shkak të pozicionit të saj politik properëndimor.
Megjithatë, Mulaj vëren se edhe në Kosovë ka sinjale të një qasjeje të tillë, duke përmendur lehtësimin e procedurave për pajisje me viza për në Kinë përmes Zyrës ndërlidhëse kineze në Prishtinë.
Pa marrëdhënie diplomatike
Kosova dhe Kina nuk kanë marrëdhënie diplomatike, pasi Pekini nuk e njeh pavarësinë e saj dhe mbështet, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë.
Kina operon në Kosovë përmes një zyre ndërlidhëse që funksionon nën Ambasadën e saj në Beograd.
As Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës dhe as Zyra ndërlidhëse kineze nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me verifikimin dhe kontrollimin e bizneseve kineze, apo numrin e aplikimeve për viza kineze, që dorëzohen nga qytetarët e Kosovës për udhëtime në Kinë, dhe numrin e qytetarëve kinezë që vizitojnë Kosovën.

Orientimi perëndimor dhe dilemat strategjike
Kosova mbetet e orientuar qartë drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky orientim është i lidhur ngushtë me aspiratat për integrim euroatlantik dhe me mbështetjen politike dhe të sigurisë që vendi ka marrë nga Perëndimi që nga paslufta.
Sipas Mulajt, orientimi i tillë duhet të reflektohet edhe në përzgjedhjen e partnerëve ekonomikë, veçanërisht në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura dhe telekomunikacioni.
“Në këta sektorë, zgjedhja e partnerëve duhet të bëhet me analizë afatgjatë, duke balancuar përfitimet ekonomike me sigurinë kombëtare dhe orientimin strategjik të shtetit”, vlerëson ai.
Edhe Mehmeti thekson nevojën për forcimin e diplomacisë ekonomike, duke argumentuar se Kosova nuk po arrin të tërheqë investime cilësore dhe afatgjata nga partnerët perëndimorë.
“Në praktikë, diplomacia ekonomike ose mungon, ose nuk funksionon në mënyrë efektive”, vlerëson ai.
Një raport i pabalancuar tregtar
Përtej investimeve direkte, marrëdhënia ekonomike Kosovë-Kinë dominohet nga një debalancë e theksuar tregtare.
Kosova shpenzon mbi dy milionë euro në ditë për import nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektroshtëpiake deri te produktet ushqimore.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në rreth 920 milionë euro në vitin 2024.
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten minimale – më pak se një milion euro në vit – duke e thelluar ndjeshëm deficitin tregtar dhe duke reflektuar një marrëdhënie ekonomike të pabarabartë. /REL